Euro 2024, kompeticioni më i rëndësishëm për shtete në Europë ka si mesazh bashkimin. Gjithsesi, pavarësisht zhvillimit dhe kalimit të kohës, Shqipëria, Kroacia dhe Serbia vazhdojnë të jenë të ndarë në futboll.
New York Times i ka dedikuar një artikull special këtyre 3 shteteve, që përveç asaj që pamë në fushë, ishin protagoniste edhe në tribuna. Gjatë sfidave të grupeve, nuk munguan ngacmimet, provokimet, ofendimet dhe thirrjet nacionaliste, çka tregon edhe një herë urrejtjen mes popujve.
UEFA nuk qëndroi “duarkryq” për këto raste, serbët u gjobitën me 14 mijë Euro nga instanca më e lartë e futbollit në Europë për shkak të mesazheve raciste ndaj Kosovës në ndeshjet e grupit të Europianit. Nuk ia hodhën paq as Shqipëria me Kroacinë, pasi e pësuan edhe ato për shkak të sjelljeve të tifozëve gjatë sfidës direkte.
New York Times nuk heziton të përmendë edhe rastin e Mirlind Dakut. Sulmuesi kuqezi u pezullua me dy ndeshje për shkak të ofendimeve me bacë racore ndaj maqedonasve dhe serbëve. Vlen të theksojmë se të 3-ja kombëtaret e kanë mbyllur rrugëtimin në Europian që në fazën e grupeve, me shpresën se në herët e tjera, fokusi do jetë edhe më shumë te…futbolli.