Bashkimi që propozon Lulzim Basha/ Pse një PD rreth parimeve dhe vlerave, është e vetmja zgjidhje që çon tek fitorja?

Gjatë konferencës së fundit për shtyp, kreu i PD-së, Lulzim Basha, veç të tjerash, u pyet edhe për bashkimin e Partisë Demokratike.

Në përgjigjen e tij të thuktë, Basha tha se PD-ja e ka bashkimin e opozitës prioritet absolut, por bashkimi në politikë në çfarëdo formati nuk është mekanik, sepse bashkimet e tilla janë të destinuara të dështojnë.

“Bashkimet në politikë janë interesa politike. Interesat tona janë zgjedhjet e lira, lufta kundër korrupsionit dhe aleanca me ndërkombëtarët.” – u shpreh më tej lideri demokrat.

“Flasim për bashkimin dhe përdorim fjalimin e linçimit dhe ofendimit.” – përfundoi kreu i PD-së.

Nëse do të analizojmë përgjigjen e Lulzim Bashës, mund të arrijmë në disa konkluzione se si ai e sheh bashkimin e Partisë Demokratike dhe të opozitës shqiptare.

Së pari, Basha shprehu vullnetin e tij të palëkundshëm se opozita e ka jetike bashkimin dhe këtë proces mund ta drejtojë vetëm Partia Demokratike si forca kryesore e opozitës.

Së dyti, në mënyrë të përgjithshme Basha shprehu bindjen e tij se nuk mund të ketë bashkim mekanik, të sforcuar dhe të negociuar mbi bazë pazari dhe jo parimesh.

Siç edhe po duket në kampin e “Rithemelimit”, që tani kanë filluar sherrnajën se kush është më i rëndësishëm grupi parlamentar apo partia, se kush duhet të propozojë aksionin politik dhe se si do të modelohen lëvizjet e ardhshme, ‘bashkim’ pa bashkim mbi bazë inatesh dhe pazaresh nuk mund të ketë jetëgjatësi dhe është i destinuar të venitet shumë shpejt.

Ndaj janë të rëndësishme vendosja e kufijëve dhe parimeve mbi të cilët do të ngrihet ky bashkim.

Dhe ‘kufijtë’ që propozon dhe ofron Lulzim Basha janë beteja për zgjedhjet e ndershme dhe të lira, lufta e pakompromis kundër korrupsionit dhe aleanca me ndërkombëtarët.

Në dallim nga të tjerët, Basha propozon elemente parimor dhe jo pazar për veten apo grupin e tij. Propozimi për lënie mandati dhe të vendosurit të vetes në dispozicion të drejtësisë sa herë që ta kërkojë, është realizim pikërisht i kësaj qasjeje.

Kushdo që e ndjen veten të përfshirë në këto tre elemente, është i mirëpritur për t’u bashkuar dhe për të ndarë të njëjtën llogore politike.

Partia Demokratike e ka jetike bashkimin dhe bashkëpunimin, ashtu siç e ka të domosdoshme aleancën me ndërkombëtarët dhe mbështetjen e saj ndaj sistemit të drejtësisë.

Teoricientët e shkencave politike, kur flasin se si mund të vijë opozita në pushtet në vende me demokraci të cunguar si Shqipëria, vënë në pah bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, mbështetjen ndaj një drejtësie të pavarur dhe një koalicion të gjerë të partive opozitare.

Ndërkombëtarët ngelen të rëndësishëm për vende si Shqipëria, sepse ata vijojnë të jenë arbitra të përcaktimit të rregullave dhe të mos rënies së vendit në anarki.

Ashtu siç edhe mbështetja e pakompromis ndaj SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme ngelen të rëndësishme për PD-në, madje ato duhen parë si aleat në betejën ndaj qeverisë dhe korrupsionit dhe jo si armiq.

Gjithashtu, Basha gjatë fjalës së tij vendosi si kufijë fundorë ndalimin e linçimit dhe të ofendimeve, gjë që ai e ka bërë gjithmonë, në fakt.

Kështu që, kushdo që e ndien veten pjesë të këtyre parimeve dhe vlerave, është i mirëpritur për të bashkëpunuar me Partinë Demokratike.

Në të kundërt, gjithsekush që vendos kushte përjashtuese, herët a vonë do të dalë se qëllimi i vetëm është shërbimi i drejtpërdrejtë apo i tërthortë i mbajtjes së Edi Ramës në pushtet./ Namir Lapardhaja

Exit mobile version