Konfirmon BE: Nuk do të ketë takim Kurti-Vuçiç në Davos

Në Davos nuk do të ketë një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Këtë e konfirmoi zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, i cili në një përgjigje për mediat në Prishtinë, nënvizoi se nuk do të ketë bisedime në kuadër të dialogut në Zvicër.

Qeveria e Kosovës nuk zbardhi agjendën e kryeministrit Kurti në forumin ekonomik. “Për takimet të cilat do të zhvillohen në forum do të njoftoheni në kohë”, njoftoi qeveria.

Hera e fundit që Kurti dhe Vuçiç janë takuar në kuadër të dialogut të Brukselit ka qenë në shtatorin e vitit të kaluar. Bisedimet përfunduan pa rezultat, vetëm me shkëmbimin e akuzave të zakonshme për pengim të procesit.

Më pozitiv rezultoi takimi veçmas i Kurtit dhe Vuçiçit me liderët europianë, që mësuan qëndrimet e secilës palë për marrëveshjen e normalizimit të raporteve dhe formimin e asociacionit.

Exit mobile version