Gjatë vitit 2025 pritet që të ndryshojë formula për taksat e bashkive, si dhe të kryhet kategorizimi i taksave vendore për zënien e hapësirës publike dhe të fasadave për përdorimin e reklamave/tabelave.
Ndryshimet në Ligjin “Për financat e qeverisjes vendore” projektohen në tremujorin e tretë të këtij viti, pas përfundimit të zgjedh jeve të përgjithshme.
Qeveria parashikon që gjatë vitit 2025 të ndryshojë formulën për transfertën e pakushtëzuar financiare të pushtetit vendor.
Këto ndryshime që pritet të kryhen kanë si synim të rregullojnë skemën e financimit të bashkive; përshtatjen e parimit të ekualizimit të lidhur me numrin e popullsisë sipas Censit 2023.
Gjithashtu, synohet stabilitet financiar për bashkitë me të ardhura të ulëta, si dhe ndryshimi i tabelës që ndan bashkitë sipas kategorisë.
Këto ndryshime pritet të sjellin më shumë të ardhura për bashkitë dhe një ndarje më të saktë të fondeve në proporcion me numrin e popullsisë që kanë.
Të ardhurat e pushtetit vendor për periudhën janar-nëntor 2024 arritën në nivelin e 36,6 miliardë lekëve, me një rritje prej 8 miliardë lekë në raport me një vit më parë apo 27.9% dhe një kapërcim prej 2 miliardë lekësh në raport me planifikimin e bërë sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave.
Zëri i taksave lokale vendore zë peshën më të madhe, ku të ardhurat në 11-mujor arritën në 29,5 miliardë lekë, me një rritje prej 6.4 miliardë lekë në raport me një vit më parë si dhe në nivel rekord në të gjithë dekadën.
Por sërish disa bashki kanë detyrime të prapambetura si dhe gjenden në vështirësi financiare, duke mos ofruar kështu, shërbimet e duhura për qytetarët.
Bashkitë morën nga buxheti i shtetit gjatë vitit 2024 në formën e transfertës së pakushtëzuar afro 360 milionë dollarë, me një shtesë prej 49 milionë dollarësh krahasuar me këtë vit. Në total, për vitin 2024, transferta e pakushtëzuar ishte 36,583 miliardë lekë.
Formula e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar përcaktohet në ligjin “Për Financat e Vetëqeverisjes Vendore, sipas së cilës identifikon nevojat për shpenzime të bashkive duke u bazuar tek popullsia relative, dendësia e popullsisë (që reflekton diferencat në koston e ushtrimit të funksioneve ndërmjet bashkive) dhe tek numri faktik i fëmijëve në kopshte dhe nxënësve në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në çdo bashki.
Përveç ekualizimit të kostove të shërbimeve që bëhet nëpërmjet komponentit të dendësisë, formula e ndarjes së transfertës së pakushtëzuar sjell edhe ekualizimin e kapacitetit fiskal, i cili bazohet në të ardhurat faktike nga tatimi mbi të ardhurat personale, nga taksa vjetore e automjeteve të përdorura dhe taksa e kalimit të së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme.
Por cilat janë bashkitë që përfituan më shumë fonde nga transferta e pakushtëzuar dhe ato që përfituan më pak? Tirana, si bashkia me numrin më të lartë të popullsisë ka marrë dhe fondin më të lartë prej rreth 5.2 miliardë lekësh për vitin 2024, ndjekur nga Bashka Durrës me afro 2 miliardë lekë, më pas renditet Bashkia Elbasan, e cila përfitoi 1.5 miliardë lekë, Bashkia Shkodër 1.4 miliardë lekë, rreth 1.3 miliardë lekë shkuan për Bashkinë Vlorë, 1.1 miliardë lekë për Kamzën dhe 1 miliardë lekë për Bashkinë Korçë./Gazeta Panorama