Bauza në Barcelonë për të rikthyer Messin në përfaqësuese

Argjentinasit nuk heqin dorë nga Lionel Messi, madje e dëshirojnë kaq shumë rikthimin e tij në kombëtare sa vetë trajneri i ri i La Seleccion udhëtoi këtë të martë në Barcelonë për të bindur yllin e futbollit botëror të rikthehet me përfaqësuesen. Edgardo Bauza u filmua nga mediat në momentin e mbërritjes së tij në Barcelonë dhe pranoi se qëllimi i vizitës së tij është takimi me Messin dhe dëshira për të kuptuar arsyet që e çuan lojtarin të heqë dorë nga përfaqësimi me kombëtaren.
“Nuk kam ardhur për të bindur Messin, por për të biseduar me të për futbollin, për arsyet që e çuan në marrjen e këtij vendimi. Unë dëshiroj t’i tregoj atij idetë e mia dhe shpresoj që ai të rishikojë vendimin e tij. Nuk do të përpiqem ta bind, pasi do të jetë një bisedë e hapur”, u shpreh Bauza.
Messi deklaroi largimin nga përfaqësuesja e Argjentinës më 26 qershor pas humbjes në finalen e Kupës së Amerikës me Kilin, ndërkohë që Bauza u emërua në krye të La Seleccion më datë 1 gusht pas dorëheqjes së Gerardo Martinos.

Exit mobile version