Neymar i padenjë për të qenë kapiten

Brazili i futbollit të meshkujve e nisi Olimpiadën e Rios me një objektiv të qartë, atë të fitimit të arit të parë olimpik, por pas dy ndeshjeve të para në Grupin A skuadra e Rogerio Micales nuk ka grumbulluar më shumë se 2 pikë dhe nëse nuk fiton ndaj Danimarkës në ndeshjen e fundit mund të eliminohet që në grup.
Diçka e tillë do të ishte një dështim i madh për një skuadër që ka në përbërje një yll si Neymar Jr., por edhe shumë talente premtues të futbollit botëror siç janë Gabriel Jesus, Gabriel Barbosa, Rafinha, Alcantara apo edhe Felipe Anderson. Pas dy barazimeve 0-0  ndaj dy përfaqësueseve modeste si Afrika e Jugut dhe Iraku, Neymar me shokë kanë përfunduar në qendër të kritikave. Të zhgënjyer nga paraqitjet e Brazilit olimpik në Olimpiadën e Rios nuk kanë mbetur vetëm tifozët e Selecaos, por edhe disa prej legjendave të futbollit brazilian dhe njëri prej tyre është Arthur Antunes Coimbra i njohur nga të gjithë si Ziko.
Ish-mesfushori me tipare sulmuese në një intervistë është shprehur se një eliminim i parakohshëm i Brazilit nga olimpiada e shtëpisë do të ishte një turp i madh. Akuzat e Zikos ndaj ekipit përfaqësues kanë qenë shumë të rënda, aq sa 63-vjeçari përpara mediave ka deklaruar: “Eliminimi i parakohshëm nga olimpiada do të ishte një turp, për të gjithë ata që përfaqësojnë futbollin brazilian. Megjithatë në vitet e fundit ekipi ynë përfaqësues ka kaluar shumë situata të pakëndshme”, tha Ziko. Më pas Ziko në fjalën e tij ka sulmuar Neymar-in, duke e quajtur sulmuesin e Barcelonës një futbollist të padenjë për të mbajtur shiritin e kapitenit në krah. 63-vjeçari theksoi se Neymar duhet të mendojë vetëm të luajë futboll dhe jo për gjëra të tjera.

Exit mobile version