Fitore te lehta për Borussian e Dortmundit dhe Bayernin e Mynihut në javën e 23 të Bundesligës. Bavarezët thellojë diferencën me vendin e dytë, duke hedhur një hap të madh drejt titullit kampion, pasi u imponuan 3-0 në transfertën e Këlnit. Javi Martinez zhbllokoi sfidën që në minutën e 25. Juan Bernat dyfishoi menjëherë pas rikthimit të skuadrave në fushën e lojës, duke e vendosur ndeshjen e Bayernit në rrugë të sigurt. Në fundin e takimit golin e gjeti edhe Franck Ribery.
Me këtë fitore, Bayerni ngjitet në kuotën e 56 pikëve, 7 më shumë se Leipzig. Ndërkohë, në “Signal Iduna Park”, Borussia Dortmund shkatërroi 6-2 Bayer Leverkusen, duke konsoliduar pozitat në vendin e tretë të klasifikimit. Dembele që në minutën e 6 zhbllokoi sfidën, duke hapur rrugën e një suksesi të lehtë që u pasua nga goli i Aubameyang. Kevin Volland shkurtoi diferencën në minutën e 48 për “Aspirinat”, por sulmuesi nga Gaboni sigloi edhe rrjetën e tretë në minutën e 69.
Bayer Leverkusen besoi deri në minutën e 74 kur Wendell realizoi golin e dytë për skuadrën mike, por më pas Borussia shpërtheu. Fillimisht Christian Pulisic në minutën e 77 shënoi golin e katërt dhe më pas Andre Schuerrle me 11 metërsh realizoi të pestin. Ndeshja u mbyll me rrjetën e Raphael Guerreiro në minutën e fundit të kohës së rregullt.