Bayerni 50 milionë euro për Marchision

Claudio Marchisio në radarët e Bayern Munchen. Ekipi bavarez duket se është i vendosur në transferimin e mesfushorit të Juventusit. Madje, vetë trajneri i ardhshëm i Bayern-it Carlo Ançeloti që e ka vendosur lojtarin në krye të listës të lojtarëve dhe kërkon ta ketë në dispozicion për sezonin e ardhshëm. Marchisio ka një kontratë me bardhezinjtë që përfundon në qershor të 2020. Pavarësisht kësaj drejtuesit e klubit gjerman janë të gatshëm të ofrojnë 50 milionë euro për shërbimet e futbollistit.
Këtë sezon të Seria A, Marchisio nuk ka arritur të realizojë asnjë gol dhe një gjë e tillë nuk ndodhte prej gati 8 vitesh, që nga koha kur mesfushori luante për skuadrën e Empolit. Sidoqoftë kjo statistikë nuk ja ul aspak peshën e rëndësisë  që ka lojtari tek “Zonja e Vjetër”. 30-vjeçari e sheh të ardhmen e tij tek Juventusi dhe ëndrra e tij është të marrë shiritin e kapitenit. Ndërkohë që nga ana tjetër, dyshja drejtuese e klubit bardhezi Agnelli-Marotta nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga futbollisti 30-vjeçar, pavarësisht se oferta e bavarezëve është tunduese.
Ndërkohë, Arjen Robben e pranon se dëmtimi i javëve të fundit e ka komplikuar situatën, duke theksuar se është i paduruar për të nisur sa më parë fazën e rikuperimit në palestër. Sulmuesi i Bayern Munchen nuk luan që prej transfertës së Dortmundit për shkak të një problemi fizik, duke u kufizuar në vetëm 22 paraqitje sezonale. Në një intervistë dhënë për të përditshmen “Kicker”, Robben nuk di të japë një datë të saktë për rikthimin në fushë, pasi problemet me muskujt e barkut vazhdojnë ta pengojnë për t’u stërvitur i qetë.
“Është vërtetë freustruese, sepse përpara dëmtimit po gëzoja një formë shumë të mirë dhe shpresoja të luaja në ndeshjet më të rëndësishme të sezonit”, thekson sulmuesi holandez. Në rast se mjekët nuk do të arrijnë të bëjnë asgjë për rikuperimin e shpejtë të Robben, atëherë Bayerni i Mynihut mund të humbasë deri në fund të sezonit një nga lojtarët më jetikë të skuadrës së Pep Guardiolës. Arjen Robben është një prej emrave më të dashur në “Allianz Arena” për shkak të klasit dhe aftësisë që ka për të vendosur edhe i vetëm një ndeshje.

Exit mobile version