Merkatoja e verës mund të rezultojë vërtet e nxehtë për mbrojtësin e Kombëtares Shqiptare, Elseid Hysaj. Nuk është vetëm Atletico Madrid në gjurmët e lojtarit të lindur në Shkodër, pasi sipas agjentit të tij, Mario Giuffredi, Hysaj është një mbrojtës që mund të jetë i vlefshëm edhe për skuadra si Real Madrid, Manchester United apo Chelsea. I cituar nga mediat spanjolle, Giuffredi e pranon se gjatë verës Hysaj mund të largohet nga Napoli, por ai zgjedh diplomacinë për ta trajtuar me kujdes këtë çështje.
“Nëse Napoli do ta konsiderojë shitjen e tij mund të përfitojë një shumë të madhe. Aktualisht nuk po diskutojmë për rinovimin e kontratës, sepse nuk duam të krijojmë probleme, por është e qartë se vetëm 7 muaj më parë ai ishte një tjetër lojtar dhe me paraqitjet e këtij sezoni ka ndryshuar shumë. E theksoj, rinovimi nuk është prioritet. E njoh Elseidin që prej shumë vitesh dhe e dija se do të shpërthente në Napoli. Tashmë është bërë një lojtar i kalibrit të lartë dhe mendoj se është gati edhe për skuadra si Chelsea, Manchester apo Real Madrid”, u shpreh Giuffredi.
Ndërkohë, faqja e internetit, chelsea-news.co përforcon zërat për interesimin e Antonio Contes ndaj lojtarit shqiptar, duke theksuar se Hysaj është njeriu ideal për skemat e preferuara të trajnerit italian, 3-5-2 ose 4-4-2, pasi ai mund të luajë në të dyja krahët e mbrojtjes. “Shqiptari ka një kontratë me Napolin që e lidh deri në vitin 2020 dhe vlera e kartonit të tij mund të variojë nga 15 deri në 20 milionë paund. Më parë, për 22-vjeçarin kanë shfaqur interes edhe Bayern Münich, Atletico Madrid e Bayer Leverkusen”, shkruan ndër të tjera faqja e specializuar britanike.