BB: Shqipëria, me përqindjen më të ulët të forcës së punës me sigurime në Rajon

Shqipëria është më e riskuara në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë në të gjithë Europën për deficitin që do t’i krijohet skemës së pensioneve nga plakja e popullsisë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, vetëm 25.7% e forcës së punës në Shqipëri (15-64 vjeç) paguajnë sigurime. Ky tregues në vendet e tjera të rajonit është më i lartë.  Në Bosnjë, 29% e forcës së punës paguajnë sigurime, Kroacia, 50%, Maqedonia e ka 33.2%, Serbia e ka 40.2% dhe në Greqi 58.3% e forcës së punës paguajnë sigurime.
Qytetarët e vendeve në zhvillim do të jetojnë më gjatë (ku përfshihet edhe Shqipëria) prandaj deri në vitin 2050, numri i personave mbi 65 vjeç do të dyfishohet. Banka Botërore pohon se pas tri dekadash do të bëhet gjithnjë e më vështirë që vendet në zhvillim, madje gjithë bota mbarë, të sigurojë një jetesë me dinjitet për të moshuarit që pritet të arrijnë në 1.3 miliardë. Vendet po urbanizohen shpejt, familjet kanë më pak fëmijë dhe zakonet tradicionale për t’u kujdesur për të moshuarit janë thyer, ndërkohë nuk janë krijuar mekanizmat të duhur formalë për ta zëvendësuar atë.
Në vendet në zhvillim, pagesa e sigurimeve për të siguruar një pension dinjitoz në pleqëri shoqërohet me informalitet të lartë. Në disa rajone, më shumë se dy të tretat e popullsisë në moshë pune janë në informalitet. Në dekadën e fundit, ndryshime të mëdha kanë ndodhur në peizazhin e pensioneve, duke përfshirë edhe dhjetëra reformat e paqëndrueshme pay-as-you-go në të gjithë Europën dhe rajone të tjera.
Përvoja ndërkombëtare tregon që mund të përdoren teknika të reja, të tilla si vetëregjistrim në skemat private të pensioneve, me qëllim rritjen e kursimeve për pensionin. Disa vende tashmë janë duke përdorur teknika të tilla. Për shembull, në Zelandën e Re dhe në Mbretërinë e Bashkuar më shumë se 6 milionë njerëz janë bashkuar në një plan pensioni profesional, skemë kjo e aplikuar për herë të parë në katër vitet e fundit. Turqia është vendi më i fundit që ka miratuar këtë qasje.
India, Kenia dhe Meksika kanë krijuar mekanizma të cilat mbështeten në grupet e komuniteteve lokale për të mbledhur kontributet e pensionit nga punëtorët e sektorit informal, përdorin telefona mobilë për të ngritur llogaritë e kursimit të pensioneve. Vende të ndryshme janë duke eksperimentuar me mjete të përshtatshme për rrethanat e tyre demografike dhe sociale, si dhe objektivave të zhvillimit.

Exit mobile version