Korrupsioni vazhdon të paraqesë pengesë të madhe në demokracinë kosovare, sundimin e ligjit dhe institucionet e vendit, raporton KTV. Në një tryezë të organizuar nga Dhoma Ekonomike Amerikane me temën “Etika në biznes dhe Korrupsioni”, ambasadori amerikan, Greg Delawie, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo që vetëm po i nxisin udhëheqësit kosovarë për të ndërmarrë hapa të fuqishëm kundër korrupsionit, por edhe do të investojnë para për ta ndihmuar Kosovën që të zhvillojë aftësitë e saj “për ta luftuar këtë murtajë”. Drejtori ekzekutiv i Dhomës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se korrupsioni po e pamundëson tërheqjen e investimeve të huaja dhe rritjen e vendeve të reja të punës. Se çfarë duhet të bëjnë bizneset që të mos kenë probleme në aspektin ligjor, tregoi prokurori Besim Kelmendi. Nga një hulumtim i bërë vitin e kaluar nga Instituti Demokratik i Kosovës, 2015-ta është shpallur vit i humbur në luftën kundër korrupsionit.