Legjenda e futbollit gjerman, Franz Beckenbauer është marrë në pyetje nga prokurorë zviceranë mbi dyshimet për korrupsion që lidhen me Kupën e Botës 2006. Bashkë me të po hetohen edhe 3 anëtarë të tjerë të ish-komitetit organizator të atij kompeticioni. Katër zyrtarët dyshohen për “mashtrim”, “keqmenaxhim”, “pastrim parash” dhe “shpërdorim”. Beckenbauer, i cili kryesonte përpjekjet e Gjermanisë për organizimin e Botërorit të 2006-s, në vitin 2000, e ka mohuar vazhdimisht akuzën për korrupsion. “Sot u mora në pyetje si pjesë e dëgjimeve të gjata të parashikuara nga prokurorët federalë zviceranë”, njoftoi Beckenbaueri 71-vjeçar, duke shtuar se iu ishte përgjigjur të gjitha pyetjeve.
Hetimi ndaj akuzave se 4 anëtarëve të komitetit organizativ të Botërorit të 2006-s ishin përfshirë në mashtrim dhe pastrim parash nisën në vitin 2015. Tre të dyshuarit e tjerë në këtë hetim penal janë ish-presidentët e Federatës gjermane të Futbollit (DFB), Wolfgang Niersbach dhe Theo Zwanziger, si dhe ish-sekretari i Përgjithshëm i Federatës, Horst Rudolf Schmidt. Autoritetet e taksave bastisën menjëherë selinë e “DFB”-së në momentin kur u mësua mbi një pagesë sekrete prej 6.7 milionë eurosh që i ishte bërë FIFA-s në vitin 2005.