Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në Tiranë, Taulanda Jupi, sjell në profilin e saj një përvojë të thellë personale nga vizita në ekspozitën “Nevermore” të artistit Orion Shima, të hapur në Galerinë FAB.
“Nevermore nuk është vetëm një ekspozitë; është një pasqyrë, një paralajmërim dhe një thirrje për zgjim”, shkruan Jupi, duke e vendosur artin bashkëkohor në zemër të debatit publik dhe politik. Ekspozita, e dominuar nga simbolika e korbit — një imazh i fuqishëm dhe i frikshëm — përfaqëson më shumë se një realitet artistik: ajo është një koment i mprehtë mbi degradimin moral dhe politik të shoqërisë shqiptare.
“Tufa e korbave të uritur është më shumë se një imazh makabër; është një metaforë për shoqëritë e grabitura, për sistemet që ushqehen nga rrënimi moral dhe njerëzor.”
Por, përtej vizionit të errët, ajo shtron një pyetje provokuese që përshkon gjithë veprën: “Korbat i shohim, por cili është trupi që shqyejnë?” Një pyetje që nuk ka vetëm një përgjigje artistike, por kërkon një ndërgjegjësim kolektiv.
Për Jupin, kjo është më shumë se një ekspozitë – është një thirrje për reflektim, një moment ndalese në vrullin e përditshmërisë politike për të parë thellë në plagët që shoqëria mbart. Ajo e lidh veprën me realitetin e dhimbshëm të një shoqërie të lodhur nga padrejtësia, korrupsioni dhe apatia.
Postimi i plotë nga Taulanda Jupi në Facebook:
“Nevermore” nuk është vetëm një ekspozitë; është një pasqyrë, një paralajmërim dhe një thirrje për zgjim në Galerinë FAB.
Mes ditëve të vrrullshme të kësaj fushate mora pak kohë të vizitoja ekspozitën “Nevermore” të piktorit Orion Shima. Një goditje e fuqishme vizuale dhe emocionale, që tejkalon kufijtë e artit për të bërë një koment të fortë mbi realitetin tonë shoqëror dhe politik. Me korbin si simbol kryesor — piktori krijon një narrativë të zymtë, por thellësisht të vërtetë.
Tufa e korbave të uritur është më shumë se një imazh makabër; është një metaforë për shoqëritë e grabitura, për sistemet që ushqehen nga rrënimi moral dhe njerëzor. Por pyetja që ndiej nën shtresës së ngjyrave është edhe më therëse: korbat i shohim, por cili është trupi që shqyejnë? Në këtë pyetje pingulet e gjithë ekspozita. A është e sotmja? A është e ardhmja ?
Kjo është një thirrje për reflektim: jemi ne vetë ai trup i heshtur që lejojmë të copëtohemi nga makineritë e padrejtësisë, korrupsionit, indiferencës. Ekspozita na bën të ndalemi, të mendojmë dhe të shohim përtej sipërfaqes — drejt së vërtetës që na rrethon, por që shoqëritë e topitura si kjo e jona shpesh zgjedhim të mos e shohim.