Belgjika e dënoi 10 vjet burg, Rama e liron vrasësin Frroku

Ish-deputeti i mazhorancës, Mark Frroku u shpall dje i pafajshëm për akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit në Belgjikë. Gjykata ka arritur në konkluzionin se, Prokuroria nuk solli prova konkrete që përfshijnë Mark Frrokun në vrasjen e vitit 1999 në Belgjikë, por burimet bëjnë të ditur se ky vendim është marrë pas presioneve të vazhdueshme të kryeministrit Rama për lirimin e Frrokut. Tre javë më parë, prokurorët gjatë leximit të pretencës, i kërkuan Gjykatës që Mark Frroku të dënohet në total me 26 vite burg. Prokuroria paraqiti të njëjtat prova, mbi të cilat është dënuar Frroku me 10 vjet burg në Belgjikë, në Shkallën e Parë, por këto prova nuk u morën parasysh nga Gjykata e Tiranës.
Nga ana tjetër Gjykata, e gjeti fajtor Mark Frrokun për tre akuza të tjera, atë të “ndërtimit të paligjshëm”, fshehjes dhe mos deklarimit të pasurisë dhe akuzën e pastrimit të parave. Për të tre këto akuza, përfundimisht Gjykata e Tiranës e dënoi ish-deputetin Frroku me 7 vjet e 6 muaj burg. Frroku i ka bërë tashmë dy vite burg, pasi u gjykua në masën e “arrestit me burg” dhe pritet që të lirohet, pasi edhe ndaj tij po ndiqet e njëjta skemë si në rastin e lirimit të kapobandës së Durrësit, Lulzim Berisha dhe të anëtarëve të bandës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”.
Mark Frroku u arrestua që në mars të vitit 2016 pas administrimit të urdhër-arrestit ndërkombëtar për akuzën e vrasjes së kryer në Belgjikë. Arrestimi i tij nxorri në dritë një skandal, atë të fshehjes së udhër-arrestit të dërguar në zyrën e Interpol Tiranës nga autoritetet belge, në të cilin u përfshi Rama, Tahiri dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Arrestimi i Frrokut u bë vetëm pas reagimit të fortë të BE që i kërkonte autoriteteve shqiptare të vepronin me urgjencë për zbatimin e urdhër-arrestit ndërkombëtar.
Për vrasjen në Belgjikë, Frroku ishte dënuar me 10 vite burg nga drejtësia belge. Vëllai i viktimës i ka thënë Prokurorisë belge se Arben Frroku, kishte paguar 10 mijë dollarë për vrasjen e Aleksandër Kurtit e kryer nga vëllai i tij, Mark alias Besnik Morina. Sipas këtij dokumenti, motivi i vrasjes ishte: “Raporti midis viktimës dhe shtetases L.S. po bëhej më shumë se profesional dhe mund të vinte në rrezik organizatën e shfrytëzimit të qenieve njerëzore shqiptare nga Italia, Brukseli deri në Londër”.
Në datë 05.03.1999, viktima Aleksandër Kurti, lindur më 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga 4 autorë, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint-Gilles, Bruksel. Autor i kësaj ngjarjeje besohet të jetë shtetasi Mark Frroku, i njohur ndryshe si Besnik Morina, i njohur ndryshe si Dritan Frroku, i njohur si Piro Sofrani. Sipas disa dëshmitarëve, shtetasi Besnik Vuka ishte autori i goditjeve me thikë. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me inicialet e emrit L.S. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve. Shtetasja L.S kishte lënë takim me viktimën në ditën e ngjarjes. Aleksandër Kurti kishte menduar se do të takonte prostitutën, por ai ra në grackë, e cila rezultoi fatale për të. Kristian Marinaj, i njohur si Arjan Bytyçi, si dhe Lek Bib Djafa ishin bashkëpunëtorë të Besnik Vukës. Dëshmitarët kishin përmendur numrin e autorëve. Ata u arratisën jashtë vendit, disa ditë pas ngjarjes.

Mediat belge: Vrasësi bëhet deputet në Shqipëri

Vetëm pak muaj pasi Mark Frroku u zgjodh deputet i Partisë Kristian Demokrate Shqiptare, në koalicion me Ramën, mediat në Belgjikë shkruan se, deputeti i Parlamentit shqiptar, Mark Frroku, është dënuar me 10 vjet burg për vrasjen e një shqiptari në vitin 1999 në Belgjikë.
“Në Bruksel i akuzuar, në Shqipëri deputet”, e titullonte lajmin faqja online belge, “Nord Eclair.be” më 10 janar 2014. Në shkrim thuhej se, “i sapozgjedhur në Shqipëri në postin e ligjvënësit, Mark Frroku rezulton i dënuar në mungesë me 10 vite burg në Belgjikë për vrasje, mbi afera prostitucioni dhe trafiku ilegal emigrantësh”.
Ndërsa portali “lameuse.be” shkruante se, “deputeti shqiptar Mark Frroku duhet të rigjykohet muajin e ardhshëm para Gjykatës Penale të Nivelles në Belgjikë, pasi Gjykata e Kasacionit e ka dënuar atë me 10 vjet burg në mungesë në vitin 2010”.
Sipas mediave belge, Frroku është dënuar për vrasje në bashkëpunim të shqiptarit Aleksandër Kurti, i vrarë me thikë në 5 mars të vitit 1999 në Gare du Midi. “Në bazë të denoncimeve anonimë katër shqiptarë, njëri prej tyre Besnik Morina, i njohur si Mark Frroku, 41 vjeç dhe Arjan Bytyçi, 36 vjeç, janë liruar nga autoritetet belge para se të përfundonte gjykimi i tyre nga Gjykata në Bruksel në janar 2010. Të katër personat e përfshirë në vrasjen e Aleksandër Kurtit janë dënuar më pas, por asnjëri prej tyre nuk është ulur asnjëherë në bankën e të akuzuarve. Rigjykimi pritet të fillojë më 10 shkurt 2014, për Frrokun dhe Bytyçin. Por të dy pritet të mungojnë, pasi ata jetojnë të lirë në vendin e tyre të origjinës. Sidomos Mark Frroku, ka nisur atje një karrierë politike, që e çoi atë në Parlament në zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit”, shkruante “lameuse.be”.
“Që prej këtij momenti, shtrohet pyetja nëse Frroku gëzon apo jo imunitet parlamentar? Sigurisht jo në Belgjikë, ku teorikisht ai mund t’i nënshtrohet gjykimit, meqë faktet, fajësimi dhe rikthimi i procesit në Gjykatë kanë ndodhur para zgjedhjes së tij deputet. Asgjë s’na pengon, thotë një njohës i jurisprudencës. Po Shqipëria, do ta ekstradonte gjithsesi njërin prej deputetëve të saj? Asgjë nuk është më e sigurt”, shkruante “Nord Eclair.be”.

R.POLISI

Exit mobile version