Droga e sekuestruar po trafikohet nga Ministria

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla hodhi akuza të rënda dje ndaj Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për zhdukjen e sasive të mëdha të drogës së sekuestruar. Gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Drejtësisë, Petrit Vasili, Kryeprokurori Llalla deklaroi se, sasitë e lëndëve narkotike të sekuestruara po asgjësohen nga policia pa praninë e prokurorëve, duke shkelur në këtë mënyrë ligjin.
“Një problematikë tjetër, të cilën kemi diskutuar në mënyrë të vazhdueshme me drejtuesit e prokurorive dhe të gjitha strukturat tona, mbetet mënyra e administrimit të provave materiale. Posaçërisht në rastin e lëndëve narkotike. Në mënyrë të vazhdueshme bëhen publike të dhëna dhe çdo ditë sekuestrohen sasi të konsiderueshme lënde narkotike, asgjësohen lëndë narkotike, ndërsa nga ana tjetër thuajse ka një mos përfshirje totale të prokurorëve për mënyrën sesi administrohen dhe sekuestrohen, asgjësohen këto lëndë narkotike. Është detyrim ligjor i secilit prej nesh që të identifikojë këto raste, për të vendosur përpara përgjegjësisë ligjore, kur konstatohet se lënda narkotike dhe provat e tjera materiale, asgjësohen në mënyrë jo të parashikuar nga ligji. Në të gjitha rastet, lënda narkotike ashtu si në të gjitha rastet e tjera duhet të asgjësohet në prani të prokurorit”, deklaroi Llalla.
Prokurori i Përgjithshëm paralajmëroi ndjekje penale për drejtuesit e policisë, nëse asgjësimi i kanabisit të sekuestruar do të vijojë të bëhet pa praninë e prokurorëve. Kryeprokurori u kërkoi vartësve të tij që të nisin hetim për çdo zyrtar policie në të gjitha rastet, kur provat materiale asgjësohen në mënyrë të jashtëligjshme. “Është një problematikë, të cilën e kemi diskutuar edhe më herët, janë orientuar të gjitha strukturat tona. Ju rikërkoj që të gjitha rastet ku ka dyshime se provat materiale asgjësohen në mënyrë të kundraligjshme të fillojnë hetimet për të verifikuar nëse kjo lëndë narkotike, apo çdo lloj lënde tjetër, prova të tjera materiale nuk asgjësohet apo nuk administrohet në mënyrë të parashikuar në ligj, të fillojnë hetimet dhe të vendosen përpara përgjegjësisë ligjore autorët”, u shpreh Llalla.
Gjithashtu, Kryeprokurori Llalla i kujtoi përfaqësuesit të qeverisë, se kohët e fundit kanë rënë në mënyrë drastike referimet dhe kallëzimet në Prokurori nga institucionet ligjzbatuese, duke kërkuar një punë më intensive nga këto institucione.
Gjatë vitit të kaluar ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri mburrej se, policia ka sekuestruar tonelata droge, por droga e sekuestruar nga Prokuroria trafikohej nga vetë zyrtarët e policisë. Policia e Shtetit deklaroi zyrtarisht pak ditë më parë se, vetëm në tre muajt e parë të këtij viti janë sekuestruar 28 tonë drogë. Në një shfaqje televizive, nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë, Altin Qato deklaroi se, në periudhën janar-prill 2017 janë sekuestruar gjithsej 28 ton kanabis, 1 kg kokainë dhe 12 kg heroinë, ndërsa janë arrestuar 379 persona dhe janë referuar materialet në Prokurori për 243 persona të tjerë. Qato nuk përmendi tonelatat e drogës të sekuestruar nga policia italiane gjatë këtyre tre muajve, por cilësoi si arritje sekuestrimin e drogës në Shqipëri. Megjithëse nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë deklaroi për sekuestrim të 28 tonëve drogë në tre muajt e parë të vitit, rezulton se më shumë se 20 tonë drogë është zhdukur, pra, është trafikuar.
Policia justifikohet se droga është asgjësuar duke u djegur, por edhe në ndonjë rast, kur ajo është ekzekutuar është bërë pa praninë e prokurorëve. Ky fakt tregon se është ekzekutuar një sasi fare e vogël për të mbuluar tonelatat, që pasi janë sekuestruar me urdhër të Prokurorisë janë trafikuar jashtë shtetit nga vetë drejtuesit e policisë. Këto dyshime u hodhën dje edhe nga Kryeprokurori Llalla, i cili u kërkoi vartësve që të hetojnë çdo rast dhe të dërgojnë për ndjekje penale çdo zyrtar policie.

R.POLISI

Exit mobile version