Belgjika në ankth për Hazard

Belgjika dhe trajneri Marc Wilmots mbajnë frymën për Eden Hazard. Për tre ditë me radhë, ylli i Djajve të Kuq është stërvitur i diferencuar, për shkak të një kontraktimi muskulor të pësuar në ndeshjen me Hungarinë dhe rrezikon sfidën çerekfinale të Euro 2016, të premten ndaj Uellsit.
“Shpresoj që Eden do të jetë në gjendje të luajë, pavarësisht se ai ndjen ende dhimbje dhe është nën kujdesin e mjekëve. Do të përpiqemi ta rikuperojmë 100 për qind, por nuk mund të jap një afat të saktë apo të them me garanci se do të jetë mirë. Stafi po punon që Hazard të luajë”, u shpreh Wilmots.
Belgjika niset e avantazhuar në duelin me Uellsin, por në kualifikuese ata barazuan pa gola në shtëpi, ndërsa në sfidën e luajtur në Kardif vendosi goli i Gareth Bale. Sulmuesi i Realit të Madridit është rreziku kryesor për belgët.
“I njohim kundërshtarët, të cilët janë rritur në mënyrë të dukshme, në kualifikuese na mposhtën prej gabimeve individuale, por edhe krijuam mjaft raste për shënim. Uellsi ka dy kampionë si Ramsey dhe Bale. Ky i fundit është i lirë për të shfrytëzuar hapësirat, por nuk mendoj ti vendos një mbrojtës për ta mbuluar në çdo cep të fushës. Duhet ta ndalojmë falë kolektivit”, tha ai.
Për sfidën çerekfinale, te Belgjika mungon mbrojtësi Vermaelen i skualifikuar, e përveç dyshimeve për Hazard dilema ka edhe për aktivizimin e Mertens, që mund t’i lejë vendin e titullarit Carrasco.

Exit mobile version