Benzema zyrtarisht jashtë Europianit

Karim Benzema i thotë lamtumirë europianit që do të zhvillohet pikërisht në vendlindjen e tij, Francë. Ishte vetë sulmuesi i Realit të Madridit që e konfirmoi i pari mungesën e tij në këtë event nëpërmjet një postimi në Twitter, duke i paraprirë zyrtarizimit të këtij vendimi nga Federata franceze e Futbollit.

“Fatkeqësisht për mua dhe për të gjithë ata që më kanë mbështetur, nuk do të grumbullohem për Europianin tonë në Francë”, shkruante në profilin e tij 28-vjeçari, i përfshirë në shantazhin që iu bë shokut të tij në kombëtare, Mathieu Valbuena.

Kohët e fundit ishte folur për pranimin e tij te skuadra e Dechamps, por menjëherë u shtuan zërat që i kërkonin trajnerit të “Bluve” për të mos e grumbulluar në Europian. Madje edhe Kryeministri i Francës, Manuel Valls, ishte shprehur kundër. Ndërsa Federata franceze nëpërmjet një komunikate zyrtare, sqaroi vendimin e saj për të mos pranuar rikthimin e Benzema në kombëtare.

“Nga pikëpamja juridike, nuk ekzistojnë pengesa për grumbullimin e lojtarit në kombëtare. Por paraqitja sportive nuk është i vetmi faktor që duhet marrë në konsideratë. Vlen edhe uniteti, ruajtja e grupit dhe sjelljet korrekte. Për këtë arsye Presidenti i Federatës, Noël le Graët dhe trajneri Didier Deschamps, kanë vendosur në unitet të plotë që Benzema të mos përfshihet në listën e lojtarëve që do të luajnë në “Euro 2016””.

Exit mobile version