Broki nis aventurën

Kristian Broki, trajneri i ri i Milanit, u prezantua në Milanello nga administratori i deleguar i kuqezinjve, Adriano Galliani, i cili theksoi se kjo zgjedhje është bërë për të mirën e klubit dhe se do të jenë rezultatet ato që do të mund ta konfirmojnë 40-vjeçarin edhe për sezonin e ardhshëm. Ndërsa vetë Broki në fjalën e tij premtoi se do të bëjë më të mirën në drejtim të Milanit, duke i mëshuar fort kulturës së punës, e cila më pas do të sjellë rezultatet.

“Nuk kam frikë se do të digjem. Me shumë përulësi dua që t’ia përçoj idetë e mia të lojës kësaj skuadre. Nuk iu premtoj se do t’i fitojmë shtatë ndeshjet e ardhshme, por thjesht dua që futbollistët e mi të japin 110%. Sigurisht që nuk është e lehtë të bësh gjithçka brenda pak ditësh, por po mundohem që lojtarët t’i kuptojnë idetë e mia”, u shpreh Broki.

Praktikisht, Broki ka vetëm dy muaj kontratë, por ky fakt nuk e vë aspak nën presion. “Në karrierën time si futbollist, aspektin ekonomik dhe kontraktual e kam vendosur në plan të dytë. Nuk më intereson t’i kem shpatullat e ngrohta nga një kontratë, por e mira e Milanit. Nëse gjërat do të shkojnë keq, do të di ta nis nga e para me përulësi, por unë dua të jem trajner i Milanit edhe për sezonin e ardhshëm”, tha trajneri i ri i Milanit.

Por cili është modeli i trajnerit të cilin kërkon të ndjekë Broki? “Në karrierën time kam patur fatin të punoj me trajnerë shumë të mirë. Ata nga të cilët kam mësuar më shumë janë Prandelli dhe Ancelotti. Tani është momenti të shfrytëzoj mësimet që kam marrë prej tyre”, tha Broki.

Trajneri i ri italian e fitoi simpatinë e presidentit Silvio Berlusconi falë stilit të lojës që aplikoi te të rinjtë. Objektivi i Brokit është kualifikimi në Europa League, nëpërmjet kampionatit, që skuadra të jetë me mentalitetin e duhur në finalen e Kupës së Italisë ndaj Juventusit.

Me ndryshimin e trajnerit, Milani i Silvio Berlusconi-t po ndjek një kurs të ri, diçka që nuk ishte regjistruar për afro tri dekada. Nga Allegri, për të vazhduar me Seedorf dhe Inzaghi-n, e së fundmi Mihajloviç. Nga janari i vitit 2014, kuqezinjtë kanë shkarkuar nga detyra plot katër trajnerë. Një ndryshim tendence me kuptimin e plotë të fjalës. Kjo edhe duke u nisur nga fakti që deri në largimin e Allegrit, presidenti Berlusconi kishte shkarkuar vetëm katër trajnerë në 28 vjet në krye të klubit.

Ata ishin Liedholm, Tabarez, Zaccheroni dhe Terim. Për momentin, trajnerët nën kontratë me “Djallin” janë po katër: Seedorf, Inzaghi, Mihajloviç dhe i fundit është Broki, i cili bëhet edhe trajneri i tretë debutues te kuqezinjtë. Gjithçka nisi më 25 janar 2014, kur i ndikuar edhe nga e bija, Barbara, Silvio Berlusconi shkarkoi Allegrin pas humbjes 4-3 në fushën e Sassuolo-s. Prej aty erdhi zgjedhja e Seedorf, që edhe pse e mbylli sezonin me mjaft pikë të fituara, kishte debate me disa lojtarë dhe klubin.

Exit mobile version