Ish kryeministri Berisha shprehu shqetësimin serioz dje për situatën kritike që po kalon ekonomia në vend. përmes një statusi në Facebook, Berisha renditi të dhëna konkrete që dëshmojnë krizën e sotme.
“Ekonomia në ditën e saj më të zezë: Edi Drama, suksesin më të madh të jetës ka shndërrimin e dramës së tij në dramë për ekonominë e shqiptarëve! Të dhëna dramatike për ekonominë e vendit njoftojnë Instituti i Statistikave, Banka e Shtetit dhe Dhomat e Tregtisë! Instituti i Statistikave konfirmon instalimin e deflacionit, dëshmi kjo e rënies katastrofale të kërkesës në ekonomi, rënia më e madhe në 23 vitet e fundit. – Rënien dramatike të eksporteve. Kështu, vetëm eksportet fason shënojnë në muajin prill një rënie prej 42%, rënie e paregjistruar kjo në 23 vitet e fundit. – Rënien katastrofale të kredisë bankare prej 14.3% dëshmi e një mosbesimi ekstrem të bizneseve për të marrë kredi dhe investuar në Shqipëri. Largim masiv i investitorëve të huaj nga vendi. Aplikim masiv i bizneseve për procesin e falimentimit, vetëm tre muajt e parë të këtij viti aplikuan me falimentim mbi 5000 biznese, disa prej të cilave edhe më të mëdhatë e vendit! Ekonomia shqiptare në galop drejt falimentimit. Edi Rama ka për suksesin më të madh të jetës së tij shndërrimin e dramës së tij personale në një dramë të vërtetë për çdo shqiptar dhe ekonominë e tyre!” shprehet Berisha në reagimin e tij.