Hetimet e kryera nga Prokuroria kanë zbuluar se banda e Emiljano Shullazit rezulton me aktivitete kriminale në disa rrethe të vendit. Në kohën kur mbrojtja e Emiljano Shullazit pritet t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me kërkesën për lirimin e Shullazit, Prokuroria e Krimeve të Rënda po bashkon të gjitha dosjet ku është përmendur emri i të dyshuarit vitet e fundit.
Të gjitha kallëzimet apo informacionet që janë siguruar nga policia për grupin e Emiljano Shullazit, do t’i bashkohen dosjes, të cilët po heton Prokuroria për Krimet e Rënda. Mësohet se aktiviteti i tre të arrestuarve ishte i shtrirë edhe jashtë Tiranës, ku sipas informacioneve janë shantazhuar disa biznesmenë.
Grupi i hetimit shtoi se, kallëzimit të një gruaje në Tiranë për përvetësimin e biznesit të saj pranë ish-kafe “Florës” i është bashkëngjitur edhe një dosje tjetër nën hetim prej pak muajsh te Krimet e Rënda. Në këtë kallëzim të marrë në fillim të vitit, një biznesmen nga Lushnja ka njoftuar se Shullazi e kishte kërkuar në takim gjatë muajit shkurt, ndërsa ai nuk ka pranuar. Nga dëshmia e një punonjësi të tij është kuptuar se, personi i prezantuar si Emiljano kishte qëndruar pranë biznesit të kallëzuesit në afërsi të Lushnjës.
Biznesmeni Adriatik Kërçuku kishte kallëzuar në Policinë e Fierit, Emiljano Shullazin për gjobëvenie. Ngjarja ka ndodhur në janar të këtij viti, ku disa persona i janë paraqitur në biznesin e tij dhe një person i është prezantuar si Emiljano Shullazi. E gjithë kjo histori është treguar nga punëtori i Kërçukut, pasi vetë ai nuk e ka takuar asnjëherë Shullazin. Duke qenë se ai nuk ka pranuar, në oborrin e biznesit të tij ka shpërthyer një sasi tritoli disa ditë më pas. Prokuroria për Krimet e Rënda ka sekuestruar kamerat e sigurisë së biznesit. Por dita kur pretendohet se 4 persona kanë kërcënuar në emër të Emiljano Shullazit është fshirë nga serveri. Një fakt tjetër është se në këtë ditë, në bazë të sistemit TIMS, Emiljano Shullazi rezulton të ketë qenë jashtë vendit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur para pak ditësh se do të vazhdojë hetimet për akuzën e “gjobëvënies” për Emiljano Shullazin dhe po grumbullon prova. Vepra penale, për të cilën akuzohet Shullazi, thanë burimet e Prokurorisë, nuk është vepër penale që personi mund të heqë dorë apo mos të kallëzojë. Kjo vepër ndiqet penalisht edhe me iniciativë të Prokurorisë, për të provuar krimin që të dyshuarit mendohet se kanë konsumuar.
Emiljano Shullazi ndodhet në paraburgim në Tiranë, një javë, pasi u transferua në burgun e Elbasanit. Avokati i tij ka deklaruar se do ta apelojë masën e sigurisë “arrest me burg”, duke kërkuar lirimin e Shullazit dhe shokut të tij Gilmando Dani. Ndërsa ka kërkuar që dosja e Blerim Shullazit të ndahet dhe të ndiqet nga Gjykata dhe Prokuroria e Krujës. Emiljano Shullazi dhe dy bashkëpunëtorët e tij akuzohen për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, gjobvënie, trafik droge, shkatërrim prone me eksploziv, kanosje për shkak të detyrës dhe armëmbajtje pa leje.
Shullazi në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri
Emri i Emiljano Shullazit figuron në përgjimet e SHISH për një rrjet të trafikut të drogës nga Turqia në Shqipëri. Një raport i shërbimeve të inteligjencës e lidh grupin e tij me një grup të strukturuar kriminal nga Turqia, i cili thuhet se ka marrë përsipër të sigurojë një sasi të madhe droge dhe ta transportojë atë në Shqipëri nëpërmjet Kosovës. Për këtë arsye –thuhet në raportin e SHISH – dy shtetas turq kanë mbërritur në Shqipëri në muajin janar. Ata janë identifikuar si korrierët e mundshëm të drogës.
Kontaktet i kanë vendosur menjëherë me anëtarë të grupit të Emiljano Shullazit, të cilët i kanë akomoduar në hotel dhe më pas kanë vazhduar të mbajnë kontakte për gjithë kohën e qëndrimit të tyre në Shqipëri, raporton Shqiptarja.com. Turqit janë identifikuar si Iliaz Er dhe Ali Sahin. Përgjimet e SHISH kanë zbuluar komunikimet e Iliaz Er me shtetasin E.K, pjesë e grupit të Emiljano Shullazit.
Turku Iliaz Er ka në përdorim numrin e celularit 069xxxx577, ndërsa E.K numrin 069xxxx650. Në këto biseda, shtetasi turk kërkon të dijë nga E.K se me çfarë do të shkojë në Kosovë, vendin nga ku pritet të mbërrinte lënda narkotike.
Më 15 shkurt regjistrohet kjo bisedë mes dy numrave të telefonit. Në atë të turkut përgjigjet një shqiptar që e shoqëron, edhe ai pjesë e grupit:
069xxxx650: a do ikësh ta çosh çik Iliazin në Kosovë.
069xxxx577: me ça të iki, ai nuk ka letra. Me ç’të iki…
069xxxx650: a e ke lejen, a e ke siguracionin?
SHISH ia kalon të dhënat Policisë së Shtetit, e cila nis përpilimin e një raporti në bazë të të dhënave, ndjekjeve dhe përgjimeve. Në rapotin e policisë thuhet se, pjesë e këtij grupi janë disa shtetas me banim në Tiranë, pjesë e grupit të Emiljano Shullazit dhe Gilmando Danit, të identifikuar si O.K, B.K, S,K dhe B.L. Këta persona janë të dyshuar për ngritjen e një grupi të strukturuar kriminal që u vendos gjoba bizneseve dhe personave të ndryshëm.
Në grup – thotë policia – ka edhe persona që dyshohet se merren me trafikun e drogës nga Turqia drejt Shqipërisë. “Ky grup kriminal, lëndën narkotike e siguron në shtetin turk dhe e transporton për në shtetet e BE, duke bashkëpnuar me grupin e Emiljano Shllazit”, sqarohet në raport.
E.K që është përgjuar duke komunikuar me turkun Iliaz Er dhe babai i tij, N.K, thuhet se kanë siguruar një ngarkesë droge dhe janë në tratativa për ta transportuar në Shqipëri. Korrieri i drogës është identifikuar si H.A nga Kosova, i njohur me A.M nga Elbasani, i cili është ndërmjetësi i trafikut. Këta shtetas mbajnë intensivisht kontakte me shtetasin Iliaz Er, i cili është nisur për në Prishtinë për të zhvilluar një takim për ngarkesën e drogës.
Në Kosovë ka udhëtuar edhe turku tjetër Ali Sahin. Ai është shoqëruar nga E.M, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë. Pjesë e grupit dyshohet të jenë edhe shtetasti N.K, G.G, A.M dhe O.Xh.
SHISH dhe Policia kërkojnë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda një hetim të plotë dhe të gjithanshëm dhe rakordim me zyrat e luftës kundër trafikut të lëndëve narkotike në Turqi, Greqi, Shqipëri, Kosovë e Itali. Edhe pse Prokuroria e Krimeve të Rënda i nisi hetimet, nuk mundi të zbulojë ndonjë ngarkesë droge.