Ish-Kryeministri Berisha njohu dje senatorët italianë, Paolo Romani dhe Mario Mauro me situatën e rëndë që ka përfshirë vendin ku trafiku i narkotikëve dhe krimi i organizuar po bashkëqeverisin shqiptarët. “Me keqardhje theksova se fatkeqësisht, gjatë këtyre katër viteve nuk ka ardhur në vendin tonë as dhe një investitor, kompani e huaj e re serioze. Një pjesë e atyre që ishin u larguan dhe të vetmet investime të huaja me të cilat kjo qeveri mburret janë investime të kontraktuara dhe nisura në kohën e mandatit të PD. Ky kryeministër, një analfabet në ekonomi, dramën e tij të brendshme dhe lidhjet me krimin i reflekton dhe në ambientin përreth. Me senatorët Romani dhe Mauro ndava dhe shqetësimin për problemin e madh të kriminalitetit në rritje, lidhjet me krimin dhe trafikantët të Edi Rames, të ministrit të Brendshëm Tahiri dhe qeveritarëve të tjerë që e kanë shndërruar qeverinë shqiptare në një organizatë të vërtetë kriminale dhe regjimin në një banditokraci të vërtet”, shkruan Berisha në një reagim në Facebook pas takimit me senatorët. Ish-Kryeministri denoncoi gjatë takimit se Rama dhe Tahiri vendosin emërime në Policinë e Shtetit me qëllim kontrollin e trafikut të drogës. “Sot Edi Rama me lidhjet e tij me krimin, faktikisht drejton këtë organizatë dhe ndërtoi këtë regjim. Ai është i regjistruar tek kërkon miliona euro ryshfete dhe duke komunikuar me trafikantët dhe kriminelët më të rrezikshëm duke u përpjekur t’i mbrojë ata. Vëllai i tij është i lidhur ngushtë me trafikun e kokainës. Nga ana tjetër, edhe lidhjet e ministrit të Brendshëm, Tahiri me kriminelët janë të njohura. Së fundmi ai ka dërguar si drejtor të Policisë Kufitare në Vlorë njeriun më të afërt të njërit prej kriminelëve më të rrezikshëm që sot ndodhet prapa hekurave, Shullazit. Sigurisht, emërimi i tij në këtë detyrë ka vetëm një qëllim; për të kontrolluar trafikun e drogës”, shprehet Berisha. Nga ana tjetër, ish-Kryeministri ka theksuar se kanabizimi i vendit është një tjetër problem madhor, jo vetëm për Shqipërinë, por dhe vendet fqinje. “Kanabizimi i vendit është një politikë shtetërore jo zyrtare. Sigurisht të gjitha këto veçse i largojnë investimet dhe investitorët e huaj. Një tjetër problem është dhe kapja dhe vënia nën kontroll e mediave nga ana e qeverisë. Mediat më të mëdha të vendit janë tërësisht nën kontrollin e Ramës, të cilat censurojnë dhe nuk pasqyrojnë aktivitetet dhe qëndrimin e opozitës. Të gjitha këto e kanë kthyer vendin në një banditistan, por shpreha bindjen se opozita së bashku me qytetarët do t’i tregojë këtyre banditokratëve vendin që meritojnë”, thekson ish-Kryeministri. Berisha tha se senatorët italianë kishin shprehur mbështetje për programin politik të PD. “Si përfaqësues i forcës politike më të madhe të së djathtës italiane, Forza Italia, senatori Romani më përcolli përshëndetjet e mikut tim dhe të shqiptarëve, ish-Kryeministrit Silvio Berlusconi. Senatorët Romani dhe Mauro vinin entuziastë nga takimi i zhvilluar më herët me kryetarin e PD Basha dhe sipërmarrës italianë e vendas. Theksova se investitorët e huaj janë vitalë për Shqipërinë. Gjatë qeverisjes tonë punuam shumë për të inkurajuar investitorët e huaj, si dhe ndërmorëm një sërë masash për të lehtësuar procedurat dhe barrën fiskale”, tha Berisha.