Berisha me USAID: Krimi i lidhur me qeverinë rrezikon stabilitetin

Ish-Kryeministri ka denoncuar lidhjet e krerëve të qeverisë me krimin e organizuar gjatë një takimi që ka zhvilluar dje me Thomas O’Melia, ndihmës administrator i USAID për Europën dhe Euroazinë, i cili shoqërohej në këtë takim nga ambasadori amerikan në vendin tonë, zoti Donald Lu.
“Bashkëpunimi i qeverisë me krimin është i qartë si kristali në shumë e shumë raste, ndër ta rasti i Arben Frrokut dhe Emiljano Shullazit, për të cilët ambasadori amerikan u detyrua të denoncojë publikisht qenien e tyre të lirë, por ata ishin të lirë sepse Edi Rama me konceptin e krimit të dobishëm nuk lejonte arrestimin e tyre. Ndaj dhe bashkëpunimi në fushën e zbatimit të ligjit me qeverinë amerikane është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, u shpreh Berisha.
Berisha është shprehur se problemi më kardinal me të cilin sot përballet vendi është krimi, krimi i lidhur me nivelet më të larta të qeverisë, i cili po rrënon çdo ditë reputacionin e Shqipërisë dhe që kërcënon si stabilitetin e vendit ashtu dhe progresin drejt BE-së.
Në këtë kontekst, zoti Berisha e njohu ndihmës administratorin e USAID për Europën dhe Euroazinë me ngjarjen më të fundit, ku javën e kaluar, autoritetet greke, së bashku me DEA-n, duke hetuar një grup të fuqishëm trafikantësh gjetën se bosi i tyre, të cilin ata e quajtën Eskobari i Ballkanit, ishte drejtor në një ministri të qeverisë. Autoritetet policore shqiptare, pas këtij lajmi, u thanë shqiptarëve se prej disa muajsh, ata, së bashku me partnerët, po e hetonin këtë rast ndërkohë që Klement Balilit i dhanë të gjitha mundësitë për të ikur nga Shqipëria, dhe pasi e përcollën jashtë vendi u thanë se nuk kishte asnjë problem.
Zoti Berisha shprehu falënderimet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe USAID, për mbështetjen e madhe dhe ndihmën thelbësore që i kanë dhënë vendit tonë në qindra projekte të suksesshme, të financuara dhe zbatuara gjatë këtyre viteve, të cilat kanë ndryshuar shumë jetën e shqiptarëve. Zoti Berisha vlerësoi se mbështetja e USAID për Shqipërinë është e pazëvendësueshme ndaj dhe shprehu mirënjohjen që USAID vazhdon ende të mbështesë vendin tonë në të gjitha fushat në përpjekjen e shqiptarëve për konsolidimin e demokracisë, ndërtimin e ekonomisë së tregut, institucioneve etj.
Në këtë takim u diskutua për Reformën në Drejtësi, për të cilën zoti Berisha shprehu falënderimet për mbështetjen e ambasadorit Lu dhe të qeverisë amerikane për këtë reformë, e cila, theksoi ai, është jetike për vendin dhe progresin e tij drejt BE. Zoti Berisha u shpreh se reforma u shty dhe u ngadalësua shumë pasi Edi Rama, duke i bërë vendit një dëm shumë të madh, refuzoi konsensusin dhe doli me tezën se në Shqipëri nuk është punuar ndonjëherë me konsensus, në një kohë që çdo reformë e madhe në këtë vend, në këto 25 vite, është bërë vetëm me konsensus.
Zoti Berisha theksoi se tashmë palët janë ulur dhe po punojnë me njëra-tjetrën dhe shprehu besimin se do të ecet drejt finalizimit të saj.

Exit mobile version