Watergate çoi 48 persona në pranga

Skandali i përgjimeve të paligjshme të kryera nga Kryeministri Edi Rama është akti më i rëndë që ka bërë kjo qeveri. Presidenti, kryeparlamentari, lideri i opozitës, kryegjykatësit e të gjitha niveleve, kryeprokurori, kreu i shërbimit të fshehtë, deputetë, drejtues dhe anëtarë të një sërë institucionesh të rëndësishme kushtetuese, ambasadorë të vendeve partnere, gazetarë janë përgjuar prej muajsh në fshehtësi nga Kryeministri përmes një pajisjeje të sofistikuar, të futur në Shqipëri në mënyrë të paligjshme. Përtej dhunimit të privatësisë, të drejtave dhe lirive njerëzore, dëmi më i madh në këtë rast i është bërë sigurisë kombëtare të Shqipërisë. Atentatori ndaj sigurisë kombëtare ka një emër dhe ky është Kryeministri Edi Rama.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe një sërë vartësish të tjerë janë thjesht vegla të verbëra të Kryeministrit të inkriminuar, që nuk kanë hezituar në asnjë rast të vihen nën shërbimin e mafias apo të bëhen anëtarë të mafias. Plantacionet e drogës që kanë mbuluar çdo pjesë të vendit janë dëshmia e asaj se çfarë janë Tahiri dhe banda që ka vënë në krye të policisë. Supervrasës, supertrafikantë dhe superpërdhunues që merren nën mbrojtjen e tyre tregojnë se ata nuk kanë asnjë lidhje me titujt dhe uniformat që mbajnë, por janë thjesht drejtues-anëtarë aktivë të organizatës kriminale, që është pa asnjë simbolikë qeveria e Kryeministrit Rama.
Por, mënyra se si Kryeministri, ministri i Brendshëm, Policia e Shtetit, doganat arrijnë të injorojnë çdo ligj, procedurë dhe të fusin paligjshmërisht në përdorim një pajisje klandestine na bën të besojmë se arsyet e këtij anashkalimi të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit janë tërësisht jo ligjore. Kur marrim në konsideratë çështjet e sigurisë kombëtare, shqetësimi bëhet alarm.
Çfarë pajisjesh apo armësh të tjera ka futur Rama me njerëzit e tij në Shqipëri, tinëz shtetit? Nëse nuk e bëjnë për shtetin, për kë po punojnë Rama dhe njerëzit e tij? Kujt i shkojnë këto përgjime dhe kush i ka porositur? Për çfarë përgjohen të gjithë ata që nuk janë pjesë e ngushtë e bandës së Edi Ramës? Çfarë planesh ka ky grup kriminal që vepron në fshehtësi duke përdorur autoritetin?
Ministri Tahiri pranoi dje në emisionin “Top Story” se përgjimet janë kryer prej tij dhe ai do të vazhdojë t’i bëjë, pavarësisht se nuk ia lejon ligji dhe Parlamenti ka refuzuar t’ia japë këtë të drejtë. Ai u justifikua se në fokus të përgjimeve janë 0,01 për qind e popullsisë dhe këtë e bën për të ndihmuar pjesën tjetër të shqiptarëve që të jenë të sigurtë. Por kush e ka bërë përgjegjës atë që të marrë çdo kompetencë, çdo fuqi ligjore dhe institucionale për të përgjuar në emër të sigurisë së fëmijëve tanë? Saimir Tahiri, një drogaxhi ministër, por edhe po të ishte ndryshe nuk mund të fshijë Kushtetutë, ligje dhe institucione për t’u bërë supermeni i Edi Ramës.
Gjithë ky skandal përgjimesh ka vetëm një frymëzim dhe interes, t’i shërbejë pushtetit personal dhe interesave mafioze të Edi Ramës. Askush nuk mund të thotë se të marrësh në fshehtësi një pajisje – e ndaluar nga gjykatat britanike të përdoret qoftë edhe ligjërisht, – t’ia japësh ortakëve të Shullazit dhe të përgjosh këdo që kërcënon karrigen, pazaret dhe trafiqet e Kryeministrit, është për qëllime të mira.
Nëse Tahiri ka qëllime të mira ndaj fëmijëve të shqiptarëve, të ndalojë policinë të mbjellë dhe trafikojë kanabis, të shpërndajë nëpër shkolla kokainë e heroinë; të ndalojë vrasësit dhe trafikantët që lëvizin në kufijtë e Shqipërisë me aeroplanë, gomone, makina dhe mushka nën mbrojtjen e ministrit; të ndalë vrullin e krimit që ka pushtuar qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë.
Në të gjitha rastet Kryeministri Rama, Tahiri dhe banda përgjegjëse për përgjimet e paligjshme duhen hetuar. Rreth 40 vite më parë, një skandal i ngjashëm në SHBA, i njohur me emrin Watergate, dërgoi në burg 48 vetë. Presidenti Nikson dha dorëheqjen dhe mori faljen nga pasardhësi i tij. Edi Rama duhet të arrestohet dhe të shkojë në burg. Presidenti Ford ka vdekur!

Exit mobile version