Valon Berisha është përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës së fundit kampionatin francez Ligue 1, pas një paraqitje të shkëlqyer në fitoren e skuadrës së vet Stade de Reims 4:0 kundër Montpellier.
Përfaqësuesi i Kosovës Berisha luajti rol kyç për t’i ndihmuar Reimsit ta regjistrojë fitoren e parë në ligë këtë sezon të dielën.
Paraqitja e tij është vlerësuar lart nga gazeta më e madhe sportive në Francë, L’Equipe, e cila i ka dhënë atij notën shtatë dhe e ka përzgjedhur në 11-shën më të mirë të javës së tetë.
Notë të njëjtë e përditshmja franceze i dha edhe yllit të PSG-së Neymar.
Berisha luajti 83 minuta në këtë takim dhe i pati tri pasime kyçe në tri prej katër golave të skuadrës së vet.
Arbër Zeneli, ndërkohë, nuk ishte fare pjesë e skuadrës së Reimsit për këtë takim.
Skuadrës së dyshes kosovare iu deshën plot tetë ndeshje për ta arritur fitoren e parë, e cila ia vlejti, pas 2 barazimeve dhe 5 humbjeve.
Pa dyshim Reims e arriti suksesin më të madh këtë sezon duke e mposhtur 4:0 Montpellierin të dielën, në një takim ku gjithçka shkoi mirë me Berishën që shkëlqeu.
Përveç Berishës, edhe Dia dhe Foket zunë vend në formacionin e javës në Francë.
Berisha e ka fituar tashmë besimin e trajnerit David Guion, duke u paraqitur në shtatë prej tetë ndeshjeve të ligës deri tani.
Berisha ka edhe dy paraqitje në Ligën e Evropës për Reims, si dhe një gol të shënuar.