Ministri i Jashtëm grek e bën fakt të kryer: Në Hagë për detin pasi u zgjeruam me 12 milje

Greqia është shfaqur mjaft e gëzuar pas pranimit nga Shqipëria për të shkuar për çështjen e kufirit detar në gjykatën ndërkombëtare të Hagës.

Ka qenë vetë ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, i cili në një intervistë për mediat vendase përgëzon Shqipërinë për vullnetin që po tregon duke pranuar rrugën paqësore për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull.

“Dua të theksoj se, ashtu si me marrëveshjet me Italinë dhe Egjiptin, në rastin e Shqipërisë, Greqia provon në praktikë se mund të zgjidhë problemet me një busull sipas ligjit ndërkombëtar, dialogut konstruktiv dhe parimit të zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve. Në rastin e Shqipërisë ka një mirëkuptim të qartë në këtë drejtim sepse vendi po punon që të jetë anëtar i familjes evropiane”, tha ai.

Shefi i diplomacisë grek, sqaron gjithashtu, se zgjidhja e çështjes së detit në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë nuk ka pse të hasë pengesa pasi të dyja palët po tregojnë vullnet për këtë. Gjithashtu ai ka ritheksuar faktin se Shqipëria pranoi që çështja të shkojë në Hagë pasi njohu shtrirjen territorial 12 milje të Greqisë.

“Ne kemi rënë dakord me Shqipërinë për të punuar së bashku për të sjellë çështjen e demarkacionit detar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë pas përfundimit të procesit të shtrirjes së ujërave territoriale të të dy vendeve në 12 milje detare sipas Ligjit Ndërkombëtar Detar. Nëse ka vullnet, besoj se procesi nuk do të jetë problem. Zgjidhja e kësaj çështjeje të prapambetur do të jetë e dobishme për të dy vendet. Janë të gjitha kushtet për të ruajtur klimën e besimit dhe respektit të ndërsjellë, e cila u theksua nga të dy palët gjatë vizitës sime të fundit në Shqipëri, dhe për të forcuar agjendën pozitive në marrëdhëniet tona dypalëshe. Greqia duhet të krijojë një marrëdhënie strategjike me Shqipërinë dhe mendoj se pala shqiptare është shumë pozitive në një drejtim të tillë.”

Pak ditë më parë, ministri i Jashtëm grek ishte i pranishëm në Tiranë, ku siguroi angazhimin e kryeministrit Rama për ta zgjidhur çështjet e delimitimit të zonës detare në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë. Ndërkohë më herët në mënyrë “të çuditshme” kryeministri Rama pranoi dhe përshëndeti vendimin e njëanshëm të Greqisë për tu shtrirë me 12 milje në detin Jon.

Artikulli paraprakBerisha në formacionin e javës në Francë, me notë të njëjtë si Neymar
Artikulli tjetërShkeljet e rënda me inceneratorin e Tiranës, PD nxjerr raportin e KLSH: Kosto e papërballueshme për buxhetin. SPAK të hetojë pa vonesë