Ish-kryeministri Sali Berisha ka shuar sot çdo dyshim mbi organizatorët e protestës dhe qytetarëve për rrëzimin e shtatores së dikatorit Enver Hoxha, 27 vite më parë. Në emisionin “Studio e Haur” në News24 Berisha tha se gjithçka, nga fillimi i shkurtit e deri në ditën e rrëzimit të shtatores u organizua nga Partia Demokratike.
Ai rrëfeu se lajmin për rrëzimin e shtatores e mori pak minuta më pas në zyrën e tij nga Gramoz Pashko. Ish-kryeministri dhe ish-kreu i PD-së tha se protesta nisi nga Kamza, aty ku studentët ishin në kushte çnjerëzore.
-E hodhën more e hodhën, fraza e artikuluar nga Pashko në zyrat tuaja në rrugën e Kavajës. E mbani mend këtë moment?
E mbaj mend si tani. E mbaj mend atë ditë në çdo hap që kam bërë. Është e gdhendur në memorien time në mënyrë të pashlyeshme. Ditë si ajo janë të rralla jo për Shqipërinë, por edhe për shumë e shumë vende. Është dita ku energjia nukleare e njerëzve…nuk kam parë në jetën time një elektrizim njerëzor siç kam parë në mitingun e mëngjesit të asaj dite në Qytetin “Studenti”. Nuk kam parë njerëz në një ekstazë të vërtetë si aty dhe ajo masë e pafundme energjie u shndërrua në një forcë të jashtëzakonshme që përmbysi në fakt diktaturën e egër komuniste në Shqipëri. Nuk është 20 shkurti thjesht përmbysja e një shtatoreje, është përmbysja e kultit më poshtërues, më skllavërues që shqiptarët kanë përjetuar në të gjitha kohërat. Nuk ka kult pa ithtar dhe Enver Hoxha për një seri rrethanash ndoshta ishte njeriu që në proporcion krijoi kultin më të rëndësishëm dhe për kohën e pushtetit të tij kaq i fuqishëm ishte kulti i Enver Hoxhës sa edhe 5 vite pas vdekjes së tij ishte sundimtar absolut në çdo rrugë, në çdo cep të këtij vendi.
-A e besuat, si përjetuat?
Unë kam qenë tek studentët dhe jam nisur së bashku me masën e njerëzve dhe kam kaluar në sheshin “Skënderbe” kur njerëzit kishin ardhur në shesh. Nuk kishte rënë busti po e rrethonin. Aty kam qenë unë, e vërteta nuk di ndonjë nga anëtarët e Kryesisë së PD që nuk ka qenë. Kam shkuar në zyrë, ka ardhur pak më mbrapa Gramozi dhe menjëherë ka ardhur lajmi që thoni ju. Anëtarët e komisionit drejtues kanë qenë në masën e njerëzve. Dua të sqaroj dy momente. Në momentin e parë, lëvizjen nga alfa tek omega në mënyrë absolute e ka organizuar PD-ja. Çfarë ka ndodhur nga data 4 shkurt që ka filluar në Kamëz e deri më datë 20 shkurt e në vazhdim e gjitha është vepër e organizuar nga PD. Për këtë fatmirësisht ka dokumente. Ne e organizuam protestën me degën e PD-së në Kamzë, sepse kushtet e studentëve ishin më të zeza se kudo tjetër, terrori i policisë ishte më i madh dhe terror nga banorët ultra majtistë që ishin në vuajtje. Aty ne vendosëm të fillojë protesta. Më datë 5 protesta ka dalë në shesh. Ka shkuar Imami dhe Hajdari me porosi timen.
-Ju vetë nuk keni qenë?
Jo, të shpjegoj unë. Kanë shkuar, kanë sjellë pikat e studentëve të Kamzës. Ka qenë Blendi Fevziu dhe një gazetar tjetër dhe brenda disa orësh kanë arritur të nxjerrin studentët në Qytetin “Studenti” për t’u solidarizuar me protestën. Në selinë e PD në datën 6 janë formuluar kërkesat dhe janë lexuar në datën 7 në mitingun e studentëve. Këto janë bërë në drejtimin e degëve të PD. Më datë 7, unë kam deklaruar në “Zërin e Amerikës” se PD do mbështesë totalisht këtë lëvizje studentore. Ky proces është në dokumenta. Ne kemi ndjek një taktikë, pasi u ngrit lëvizja ne i thamë shoqatës studentore: Do dilni ju. Se kjo ishte luftë për depolitizim, por një parti sa të merrte flamurin e depolitizimit e politizonte.
Ne takuam Gjinushin për depolizitimin e arsimit. Por lëvizjet e protestat nuk i bënim dot ne, se studentët dilnin sikur ishin nxjerrë nga ne. Gramozi dhe Azemi kanë folur në mitingje dhe janë pritur shumë mirë. Azemi ka deklaruar tha se do të hiqet emri dhe do rrëzohet shtatorja e Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej”. 90% e tyre studentëve ishin drejtues të PD.
Ne kemi shpërndarë njerëzit nëpër qytete, në Shkodër i kam gjetur studentët shumë të mërzitur, situatë dramatike, për shkak të terrorit. Ka një akord për paqe sociale pas vendosjes së zgjedhjeve. Pengesa kryesore ishte se s’duhet të dilnim si flamurtarë që një çështje që ishte e studentëve. Për grevën e urisë ne e kemi mbështetur në mënyrë totale. Ka 10 deklarata nga unë e anëtarë të tjerë drejtues të PD, për mbështetjen e grevës. Ne nuk i futëm mish për top. Procesi është më transparenti që mund të ekzistojë.
-Ka nga ata që thonë se protestën nuk e drejtoi PD?
Ata të cilët kanë drejtuar grevën nuk e thotë diçka të tillë që e kanë drejtuar vetë protestën. Të gjithë kanë thënë që pas fshihej PD. Nëse mbahej distancë bëhej për mospolitizimit nga ana e PD, se tjetër ishte po ta politizonte Parti e Punës, por ne e quanim të drejtë të studentëve.
-Në grevë ka qenë edhe vajza juaj…
Edhe vajza ime ka qenë në grevën e urisë. Ajo më pyeti dhe unë i thashë shumë mirë. S’mund të ndodhte që të tjerët të futeshin dhe ajo jo. Ka ndejtur deri në momentin e fundit. Grevat shndërrohen në një masë të ngurtë që nuk e thyen askush. Po t’i thoshte PD dilni nga greva, ato do thonin gjithmonë Jo.
Ne thoshim referendumi të bëhet me trupën ekzistuese. Këtë Ramiz Alia nuk e pranonte se e dinte që e kishte të humbur. Në fund, Alia propozoi ndarjen e universiteteve për të hequr emrin. Dhelpërak. Të ndanim një universitet tjetër, për shkenca shoqërore të quhej Enver Hoxha, por ne këtë nuk e pranonim.
-Cili ishte preokupimi juaj?
Preokupimi im ishte në tërësi për ata njerëz. U futën në kushte çnjerëzore. Në një lokal 700-800 vetë. Organizuam shërbimin shëndetësor. Kishte tendenca për t’i nxjerrë me forcë.
Historiku i fillimit të këtij problemi është fillimi i dhjetëditëshit të dytë të janarit. Unë kam biseduar me Hajdarin dhe pikërisht kjo ka qenë. I thashë ne nuk jemi opozitë, por pseudo opozitë. Ne çdo ditë që kalojmë përbri shtatores së Enver Hoxhës jemi qartësisht opozitë qesharake. Filluam të mendonim rrugët se si të përballeshim me këtë. Dy ishin simbolet, shtatorja dhe emri i universitetit. Emrin e universitetit ua ngarkuam studentëve.
Çfarë ishte bërë? Ne kishim çuar përfaqësuesit tanë dhe ishin hequr bustet e portretet nga të gjitha sallat, por për emrin merrej vendimi nga instanca të tjera. E heqim shumë thjesht më tha Azemi, bëjmë një miting në shesh dhe i kthejmë njerëzit e asgjësojnë. Jo i thashë, sepse parti me parti ata e kthejnë prapë. Së dyti, nuk dua të dal, sepse çfarë thoshte Partia e Punës, ai është idhulli ynë, hajde të bëjmë referendum. Kjo rrezikonte që PD-në ta nxirrte jashtë ligjit. Kur filluan anti-mitingjet, në datën 10 kur ne filluam të sulmonin Enver Hoxhën në mitingje. Ideja tjetër ishte ta hiqnim me një mënyrë gjysmë ilegale dhe atë nuk e pranova se thashë vijnë e vajtojnë. Atëherë duhej të bëhej një miting jo nga ne. Një nga vendimet e para të PD ishin hapja e “RD”-së dhe krijimi i sindikatave, por ato ishin në rrugë e sipër. Asnjë nuk ishte kundër heqjes së shtatores.
Ishte përgatitur slogani për rrëzimin e shtatores “tek sheshi”. Rajmonda Bulku me të shoqin dhe familja Pashko, ajo ishte gjithë ditën me ne. Dalja e Rajmondës dhe thirrja nëna dhe motra dalim e shkojmë tek Ramiz Alia për të shpëtuar djemtë tanë u pasua nga ajo “tek sheshi”. Ama ne nuk dinim si do ishte mitingu. Nuk dinim nëse do ishin 50 mijë apo 100 mijë. Aty ishin më shumë se 100 mijë.
-Kush e rrëzoi bustin?
Masa. Ishte vepër e heronjve anonimë. Fatmir Mekoçi ka marrë plumb në kokë. Janë njerëz realë ata. Kush e lidhi, kush solli kabllon. Skenari u zhvillua në mënyrë të përsosur.
-Studentët e dhjetorit apo PD, kush e rrëzoi shtatoren?
Organizimin e ka bërë PD. Shkaku ishte greva e urisë. Bustin e rrëzuan ata qindra mijëra qytetarët. Ata nuk kishin asnjë iluzion se atë e rrëzoi PD, të gjithë betejën e zhvilluan kundër PD. Është absurde të mendohet se kishte organizim tjetër.
-Do bënit gjë ndryshe?
Ishte operacioni më i përsosur i realizuar nga PD. Nëse PD do rrëzonte me flamurin e saj bustin, PD do dilte jashtë nga ligji, por do plaste luftë civile. Ramiz Alia e kishte të qartë që e rrëzoi PD këtë proces. Ideimi ishte i PD. Rrëzimin e bënë qytetarët shqiptarë. Shmangëm konfliktin. Ramiz Alia bëri gjithçka për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe për t’ju kthyer me metoda militare PD-së.
-Rrezikonte vendi luftë civile?
Shumë. Më datë 20 shkurt janë bërë 3 mbledhje shumë të rëndësishme. Unë sot dëgjova se kanë gjetur filmime. Dëshmitë më të besueshme të mbledhjes së parë ishin rrëfimet e Marash Hajatit, i cili ishte mbështetës i Ramiz Alisë, por edhe mbështetës i hapjes. Ka dhe një tjetër dëshmitar që shkruan po të njëjtat gjëra. Bëhet mbledhja e dytë e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Ramiz Alia mori vendim antiKushtetues për të shpallur gjendjen e jashtëzakoshme. Aty e ka kundërshtuar një grua Eleni Selenica dhe i thoshte që Kushtetuta nuk të lejon të bësh kështu, Ramizi i kthehet që nuk ka Kushtetutë këtu. Gjendja e jashtëzakonshme u përgatit nga Ramiz Alia, se u tremb nga ajo që ndodhi, por në fakt asnjë xham nuk u thye. Ramiz Alia ka qenë për të qëlluar mbi njerëzit. Ramiz Alia nuk ishte ai që kujtojnë njerëzit. Ishte një diktator pa kult. Ishte i opseduar nga skenari i Çausheskut. Donte të bënte një kasaphanë në Bllok.
-U penduat që nuk i latë njerëzit të shkonin në Bllok?
Jo, ka qenë një akt i jashtëzakonshëm. Njerëzit filluan të hapin lajmin që puçistët vranë Ramizin, donin me çdo kusht që të bëhej kasaphana. Edi Ramën me të tjerë i kishte çuar te bunkeri i Enver Hoxhës, Nexhmijen e çoi në Dajt. Neritan Ceka është njeriu që shpëtoi një Tienmen të dytë në Tiranë. Ai mori djalin në krahë se s’po i besonin njerëzit.
-Konflikt i gjatë për demokraci?
Kurrë nuk kam parë fitimtarë me konflikt civil. Me këtë vendi paguan çmimin më të shtrenjtë. PD-ja doli në vendin e diktaturës më totalitare, pa konflikte.
-A mbetet rrëzimi i bustit rrëzim i një simboli, dekomunistizimi a është bërë?
Në qershor në 1991 ka ndodhur një ngjarje e madhe, vizita e James Baker kur ai në parlament deklaroi se jam këtu me ftesë të Sali Berishës. Ai në fakt ishte me ftesë të qeverisë por e bëri këtë për të treguar mbështetjen për opozitën. Ai më pyeti a është rrëzuar komunizmi në Shqipëri, i thashë që është rrëzuar por mbeturinat janë shumë toksike. Ai këtë e ka vendosur në një libër të tij.
Pasi dështoi Ramiz Alia me skenarin e sheshit, montoi skenarin e puçit të shkollës së bashkuar ku çuam Neritan Cekën dhe Abdi Baletën,. Biseda 5 orëshe që kanë bërë ata me një grup puçistësh. Gjoja komanda e shkollës nuk pyetej më dhe e kishin marrë ata komandën. Janë vrarë në Tiranë 11 vetë nga forcat e sigurimit të komanduara nga Gramoz Ruçi. A i kishte marrë Ruçi të gjitha frenat në dorë por në këshillin presidencial u bë ministër i brendshëm.
-Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë…
Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë, opozitarë por vëllezër ka qenë një nga gjërat unike të opozitës shqiptare. Nga doli opozita shqiptare? Nuk ishte një opozitë e disidencës. Nuk dilte nga burgjet e kampet e përqendrimit. Ishte nga njerëzit e privilegjuar të regjimit. Berisha ishte një nga ata, Gramoz Pashko ishte një nga ata. Të gjithë studentët, 99% e tyre i përkisnin grupit të privilegjuar të rinisë shqiptare, por pse? Sepse vetëm 1/10 vinin në universitet kurse të persekutuarit dhe ata që kishin problemet më të vogla ekonomike nuk shihnin universitet me sy.
Kam takuar Azem Hajdarin, dy herë më datën 9, ditën e diel. Të dyja herët kemi folur për pluralizmin politik. Sqaruam çdo gjë, kjo duhet të ishte kryekërkesa. Mustafaj ka bërë një bisedë më të zgjatur se unë me të. Kemi ikur në darkë, jemi kthyer në mëngjes në një miting të madh dhe Azem Hajdari lexon aty pluralizmi politik forma më e lartë. E përqafova dhe i thashë bërë shumë mirë. Lërë më tha se më thanë si të dalim kundër baballarëve.
Ditën kur shkuam në Gramoz Pashkos, disa thanë të mos quheshim opozitë. Këmbëngula dhe unë.
-Në elitën politike janë kthyer fëmijë të ish-drejtuesve të komunizmit, sa përgjegjës e ndieni veten?
Nuk nënkuptoja kurrë bashkëvuajtës ish-të përndjekur politikë, xhelatë të diktaturës. Të gjithë të tjerët po, përveç këtyre dy kategorive. E gjithë inteligjenca shqiptare që heshte, që konformohej dhe që ishin dhjetëra mijëra, ishin një shtyllë e fuqishme e qëndrimit të diktaturës. E tërë pjesa tjetër e popullatës që shkonte dhe votonte në kutitë e votimit, me votë sekrete votonte për partinë e punës. Një bashkëfajësi duhet ta ndiejmë këtu. Problemi më madhor i shqiptarëve është mungesa e pendesës. Po ti marrësh bashkëqytetarët tanë të dashur që unë i admiroj, nuk kam dëgjuar njeri tjetër të kërkojë falje në këtë vend. Unë kam kërkuar të falur sepse kam votuar për diktaturën.
-Në emër të kujt keni kërkuar falje?
Unë kam votuar për diktaturën, kam kërkuar falje.
-Ndjesë tjetër që doni ta bënit?
Kjo është një ndjesë që e kam bërë disa herë, që të hap rrugën, që njerëzit të ndjejnë bashkëfajësinë, dhe të kërkojnë ndjesë. A e dini që në familje nuk flisni me njëri-tjetrin, i ruheshin njëri-tjetrit.
-Çfarë po diskutonit në këtë fotografi?
Asgjë nuk harroj unë, ky është mitingu që Rama erdhi në legalizimin e PD. Rama nuk ishte në ditët e protestës, ka qenë në Korfuz se kishte një ekspozitë, e kishin nis për ta larguar nga problemi. U kthye, erdhi në mbledhje, e nxori Gramoz Pashko jashtë nga mbledhja, se u soll shumë harbut, dhe ishte i veshur me këpucë zbori, me çorape të leshta, dukej kukubet. Pashko tha nuk e duroj dot kështu.
Çfarë ndodhi, u zhduk nuk erdhi më. Kur vjen ditën e mitingut dhe më kërkon, dua të flasim më tha. I thashë të vërtetën, më vjen keq por është përcaktuar se kush do flasë. Unë nuk mundem dhe këtë po i shpjegoj. Nuk mundem ta prish këtë protokoll. Ky siç e ka zakon, këputi dhe një të sharë dhe u largua me Ardianin. Ndërkohë që iku dhe s’u duk më. E kam takuar dhe njëherë tjetër. Më 15 janar zhvillohet një miting me institucionet artistike të Tiranës në sheshin “Italia”. Ky erdhi me Kasem Trebeshinën dhe Ardian Klosin. Ky nuk çonte fjalë përpara por vinte papritur. Do flas tha se ju nuk flisni si duhet. Unë do them që nga një komunist të varet në shtyllë. I thashë po babën ku do e varësh. Në shtyllë tha. I thashë atëherë shko dhe krijo partinë e varjes në shtyllë. E lashë të fliste, nuk tha ato, tha na skuqi si kinezët…
Sapo unë sulmova Enver Hoxhën, sigurimi i shtetit me malavitën që kishte mbledhur u fut dhe çau në dysh mitingun. Pastaj ka ardhur, hera e tretë dhe e fundit, në një takim me intelektualët e Tiranës. Aty i janë përveshur intelektualët dhe jo Sali Berisha. I është ngritur e ndjera Fatbardha Shkupi dhe i ka thënë Edi Rama të kërkosh ndjesë për persekutimin që më ka bërë Kristaq Rama mua, për pasoja e atij persekutimit dhe pastaj të vish të më japësh leksione mua. Është ngritur dhe ka ikur.