Jo vetëm hapësirë ranore, por edhe pyje, madje edhe prona të ushtrisë janë grabitur në zonën e Spillesë në Kavajë. Teksa numri i zyrtarëve të arrestuar rritet, Prokuroria e Kavajës ka zbuluar sot mënyrën se si janë grabitur prona të tëra në zonën bregdetare të Spillesë. Zyrtarët dhe jo vetëm kanë arritur të grabisin rreth 11 mijë m2 tokë në vijën bregdetare Spille Kavajë dhe në fshatrat përreth, duke e tjetërsuar nga “Tokë pa frut” në tokë “Arë” dhe më pas kanë bërë ndarjen në mënyrë të kundraligjshme të kësaj sipërfaqe toke, në interes të tyre dhe personave të tjerë.
Përveç zyrtarëve, në grabitje janë përfshirë edhe biznesmenë, madje njëri prej tyre i shpallur në kërkim, Idlir Karkini ka çuar punëtorë pranë Poligonit të Qitjes në Rreth-Greth, duke “fshirë” pyllin e duke shndërruar në pronë arë, e pas kësaj ka siguruar edhe çertifikatë pronësie.
“Nga ana e Komandës së Forcës Ajrore dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Rrogozhinë është bërë kallëzim penal. Në pronën Poligoni i Qitjes Rreth-Greth me numër pasurie 368 është konstatuar prerje pyjesh dhe pastrim i barishteve nga një grup punëtorësh. Këta punëtorë janë sjellë nga shtetasi Idlir Karkini, i cili ka çertifikatë pronësie për këtë sipërfaqe toke në pyllin dhe rërën buzë detit. Në kallëzim pretendohet se kjo tokë është pronë shtetërore në pronësi të aviacionit shqiptar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Gjatë ditës së djeshme janë lëshuar 10 urdhër arreste, midis të cilëve edhe kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Beqir Nuredini, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Në pranga kanë përfunduar edhe zyrtarë dhe regjistrues në Kavajë, por edhe noterë, të cilët kanë noterizuar dokumentet e pronësisë pa bërë verifikimet e nevojshme.
Në skemën gjigante të grabitjes së pronave është dokumentuar bashkëpunimi kriminal midis ish-punonjësve të Bashkisë Rrogozhinë, të Komunës Kryevidh, dhe punonjësve të ZVRPP Kavajë.