Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar ashpër për shfuqizimin e vendimit nga Gjykata Kushtetuese ndaj Aldo Bares, duke rikthyer procesin gjyqësor ndaj tij në Gjykatën e Lartë. Në një status në Facebook, Berisha akuzon direkt Kryeministrin Edi Rama se ka ndërhyrë, duke ndikuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që çoi në shfuqizimin e dënimit me burg përjetë. “Lirimi i vrasësit serial Aldo Bare, një akt kriminal i pashembullt i kreut të banditokracisë Edvin Kristaq Ramës!”, shkruan Berisha.
Ish-Kryeministri Berisha shkruan se, duke përdorur vettingun si hanxhar, ashtu siç ishte paralajmëruar, ai urdhëroi Gjykatën Kushtetuese të heqë dënimin përjetë të kreut të bandës më të rrezikshme të Europës, bandës që priste dhe luante futboll me kokën e viktimës në rrugët e Lushnjës.
“Edivin Kristaq Rama i hoqi dënimin me jetë Aldo Bares, kreut të bandës së Lushnjës si detyrim personal për shkak të lidhjeve të tij direkt me këtë bandë. Anëtarët kryesorë të bandës së Lushnjës kanë dëshmuar para drejtësisë italiane lidhjen e tyre me Edvin Kristaq Ramën.
Prokuroria e Firences ka patur të administruara interceptimet e Enver Dondollakut, në të cilat ai pohonte lidhjet e ngushta midis bandës dhe Edvin Kristaq Bares.
Pas këtij akti të shëmtuar radhën e lirimit nga kryekrimineli Edvin Kristaq Bare e kanë Zani Çaushi, Kostandin Xhuvani etj.
Lirimi nga dënimi i përjetë i Aldo Bares, vrasësit serial, pas lirimit të bandës Hajmarrja për Drejtësi dëshmon shndërrimin përfundimisht të regjimit aktual në Shqipëri në banditokraci dhe vendit në Banditistan!”, shkruan Berisha.