Rama po kthen ’97, hap burgjet për Aldo Baren

Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dje vendimin për dënim me burgim të përjetshëm për kreun e bandës së Lushnjës, Alfred Shkurti, të njohur si Aldo Bare. Kushtetuesja e ka rikthyer çështjen penale sërish në Gjykatën e Lartë për Baren, i cili akuzohet për 15 vrasje që nga viti 1999 deri në vitin 2005.
Ky vendim i Kushtetueses do t’i hapë rrugë lirimit nga burgu Aldo Bares. Me prorsi të Ramës, me kapobandën e Lushnjës po veprohet ashtu siç u veprua për lirimin nga burgu të ish-kreut të bandës së Durrësit, Lul Berisha, apo siç u shpallën të pafajshëm anëtarët e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”.
Aldo Bare u dënua me burgim të përjetshëm, pasi u akuzua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për krijimin e organizatës kriminale, 15 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, kryerje veprash penale në bashkëpunim nga organizata kriminale, vendosjes së eksplozivit në stadiumin e Lushnjës, për vendosjen në 2001 të eksplozivit në banesën e inspektorit të Policisë, Idriz Shuli, për vrasjen në janar të vitit 2005 të Klodian Haxhiut, vendosje e eksplozivëve në mars të 2005 në një apartament në rrugën “Don Bosko” në Tiranë, për vrasjen në korrik 2005 të Baki Taullahut dhe për një numër vrasjesh të tjera.
Sipas Prokurorisë, pas vrasjes së vëllait të tij Ramadan Shkurti, Aldo Bare, ish-oficer i Forcave Speciale, vendosi të hakmerrej dhe krijoi një bandë kriminale, që kreu krime nga më makabret.
Për disa vite me radhë, ai qëndroi në arrati, dhe emri i Aldo Bares renditej në listën e të shumëkërkuarve.
Në 2006, ai u arrestua në Turqi për t’u ekstraduar më pas drejt Shqipërisë tri vite me vonë. Pas një beteje të gjatë gjyqësore, Alfred Shkurti, i njohuri si Aldo Bare u dënua përjetësisht. Së fundmi, ai i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për shfuqizimin si antikushtetues të vendimeve të dhëna ndaj tij, e cila urdhëron tashmë Gjykatën e Lartë ta shqyrtojë këtë çështje.
Aktualisht, Bare vuan dënimin në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin.

Banda famëkeqe e Bares

Banda e Bares veproi për vite me radhë, e cila terrorizoi Lushnjën, derisa vetë i shumëkërkuari u prangos pas shtatë vitesh në Turqi dhe më pas u ekstradua drejt Shqipërisë, ku ndodhet prapa hekurave. Gjykata e Krimeve të Rënda e gjeti fajtor Aldo Baren (Alfred Shkurtin) për katër vrasje, dy tentativa vrasjeje, shkatërrim të pronës me zjarr, si dhe krijim të organizatës kriminale.
Për secilën nga këto akuza i pandehuri u dënua me 247 vite burg, por në bashkim të dënimeve, përfundimisht Aldo Bare u “kyç” matanë hekurave përjetësisht. Verdikti i trupës gjyqësore, e cilësonte fajtor Aldo Baren për katër vrasje në dëm të shtetasve, Genci Kashari, Xhevat Demiri, Nimet Zeneli e Masar Aliu.

Urdhërat e Aldo Bares nuk diskutoheshin

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se i pandehuri Aldo Bare ka patur një rol dhe autoritet absolut në organizatë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar që të gjithë anëtarët e organizatës kriminale kanë pasur një disiplinë të fortë të drejtuar dhe të kontrolluar nga i pandehuri Aldo Bare. Në gjithë veprimtarinë e saj, kjo organizatë udhëhiqej nga interesat e të pandehurit Aldo Bare. Anëtarët e organizatës i drejtoheshin drejtuesit të tyre, Aldo Bares, me nofka të tilla si: “I madhi”; “Profesori”; “Kryetari” e të tjera. Disiplina e fortë dallohej qartë në momentet kur urdhrat e kreut të bandës Aldo Bare nuk bëheshin të diskutueshëm. Ato zbatoheshin me fanatizëm nga të gjithë anëtarët e organizatës, të cilët vepronin nëpërmjet ushtrimit të dhunës psikike, fizike dhe të veprimeve kriminale të tilla, si: rrahje, heqje të lirisë, tortura e vrasje. Në vijim të veprimtarisë kriminale, kjo organizatë është kujdesur vazhdimisht në drejtim të ushtrimit të veprimtarive ekonomike, ku pjesëtarë të organizatës ushtronin role të caktuara. Këto veprimtari shtriheshin në Lagunën e Karavastasë, në shoqërinë e Sport-Klub Lushnjë, në bingon e qytetit e të tjera.

Vendimi me burg përjetë
Në vendimin e saj, Gjykata shprehej se vrasja e Genci Kasharit nuk është kryer në kuadër të organizatës kriminale, por shërbeu si pikënisje për krijimin e saj, pasi në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e të vëllait, Aldo Bare nisi fushatën “shfarosëse”, duke ekzekutuar kundërshtarët e tij.
Tri vrasjet e tjera, janë kryer në kuadër të bandës kriminale dhe vetëm për ekzekutimin e Xhevat Demirit, i pandehuri mori dënimin maksimal me burgim të përjetshëm, pasi nga provat ka rezultuar se ka qenë dhe vetë i pranishëm në ngjarje. Sa u përket dy ekzekutimeve të tjera, Aldo Bare është dënuar vetëm si urdhërues dhe është dënuar nga 25 vite për secilën prej tyre.
Kapoja i bandës famëkeqe u cilësua fajtor dhe për tentativat për ekzekutimin e dy kundërshtarëve të tij më të fortë, Artur Daja dhe Gramoz Selmani, të cilët i bënte përgjegjës për vrasjen e të vëllait Ramadan Shkurti.

Vrasjet e bujshme të Aldo Bares në ‘97

Aldo Bare u ekstradua nga Turqia në vitin 2009. Vrasja e Ramadan Shkurtit, vëllait të Aldo Bares në korrik 1997, shërbeu si pikënisje e një seriali të gjatë vrasjesh dhe shkatërrimesh. Aldo Bare së bashku me të vëllanë, Ramadanin, Enver dhe Bardhyl Rabinë, nisen në drejtim të lokalit ku ndodhej Artur Daja me miqtë e tij Genci Kashari e Gramoz Selmani, si dhe të afërmit e tjerë.
Sapo i afrohen lokalit, sipas Prokurorisë, grupi i Bares qëllon në drejtim të Artur Dajës dhe nga shkëmbimi i zjarrit mbetet i vrarë Genci Kashari. Artur Daja vetëm sa plagoset. Plumbave nuk u shpëton as Ramadan Shkurti e Bardhyl Rabija, të cilët ndodheshin në makinë. Por nuk ishte e thënë që ndonjëri prej tyre të shpëtonte.
Artur Daja mbërrin pranë tyre, duke i qëlluar për vdekje. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, Aldo Bare krijon bandën famëkeqe dhe ekzekuton të gjithë miqtë e Artur Dajës. Vetë këtë të fundit, kapobanda, urdhrat e të cilit ishin të padiskutueshme, nuk arriti ta vriste. Por “ushtarët” e tij e vranë dhe i prenë kokën, duke ia shëtitur mes përmes Lushnjës.
Banda e Aldo Bares ka pasur 15 anëtarë. Por mes tyre ka edhe një të penduar të drejtësisë. Ndihmësi i drejtësisë shqiptare ka rrëfyer në seancat gjyqësore të gjitha historitë e krimeve të kryera nga kjo bandë, si dhe të gjithë emrat e anëtarëve që kanë shkrepur këmbëzën e pistoletës, apo butonin e lëndës eksplozive. Është i vetmi nga 15 pjesëtarët e “familjes së madhe” që ka kontribuar për të zbardhur të gjitha misteret e krimeve që mban mbi supe kjo bandë.

Ekspozimi i kokës së Dajës

Ditën e vrasjes së Artur Dajës, në sheshin e qytetit të Lushnjës, pjesëtarë të grupit kriminal të drejtuar nga Aldo Bare kanë shëtitur nëpër shesh kokën e prerë të kufomës së Artur Dajës. Ndërmjet tyre në ngjarjen kriminale të ekspozimit të kokës së prerë kanë qenë edhe të pandehurit Ilir Stërgu, Arben Boriçi, Erion Cici, Arjan Aliço, Enver Boriçi, Enver Dondollaku, shtetasi i vrarë Leonard Prifti etj. Të gjitha viktimat kanë qenë shokë, miq të shtetasit Artur Daja, i cili ishte kundërshtari i drejtuesit të organizatës kriminale të drejtuar nga ana e të pandehurit Aldo Bare. Viktimat nuk kanë pasur konflikte personale me të pandehurit.

Rama po i liron të gjithë banditët për të grabitur votat

Ashtu siç ishte paralajmëruar nga ish-Kryeministri Berisha, Aldo Bares iu hoq burgimi i përjetshëm dhe pritet që të lirohet nga burgu, ashtu siç u veprua me banditin tjetër Lul Berisha apo me anëtarët e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”. Kryeministër që erdhi në pushtet në vitin 2013, duke përdorur bandat, po ushtron presion tek gjyqësori për të liruar të gjithë kriminelët për t’i përdorur për vjedhjen e votave më 18 qershor.
Ai jo vetëm që i përdori banditët e kriminelët për grabitjen e votave, por disa prej tyre i futi në Parlament, duke i bërë deputetë. Këtë strategji po kërkon të ndjekë edhe në zgjedhjet e ardhshme. Rama po liron nga burgu të gjithë banditët dhe nuk është çudi që vëllezërit Shyti, Lul Berishën t’i bëjë deputetë, apo edhe Aldo Baren.
Rama e nisi me lirimin e kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha dhe vazhdoi me anëtarët e “Hakmarrjes për Drejtësi”, për të vijuar me Aldo Baren dhe me të tjerët, Zani Çaushin e Kostandin Xhuvanin. Së shpejti me porosi të Ramës pritet të lirohet edhe Emiliano Shullazi me katër anëtarët e bandës së tij, të cilët ndodhen në qeli për gjobëvënie. Për t’ia arritur këtij qëllimi po ndiqet e njëjta stretegji si me Lul Berishën, i cili u lirua nga burgu gjoja sikur ishte i sëmurë. Edhe me Shullazin po përdoret e njëjta skemë si ajo e lirimit nga burgu të ish-kapobandës së Durrësit, Lulzim Berisha, i cili i bëri kërkesë Gjykatës që të lirohej nga burgu, sepse vuante nga një sëmundje e rëndë.
Shullazi u shtrua në një spital privat, gjoja për shkak të problemeve shëndetësore. Pas kësaj sajese me porosi të Ramës, pritet që mjekët nën presion direkt të organizatës kriminale të paraqesin një raport, ku të shkruajnë se gjendja e tij është e rënduar dhe se ai nuk mund të qëndrojë në qeli. Pas këtij raporti, nën presion direkt të kreut të qeverisë, Gjykata pritet të vendosë masën “arrest shtëpie” për Shullazin. Në këtë mënyrë, ai do të përdoret nga Rama ashtu si edhe banditët e tjerë të liruar për grabitjen e votave më 18 qershor.

R.POLISI

Exit mobile version