Ish-Kryeministri Berisha i bëri thirrje Edi Ramës që të rrijë në zyrë më 16 shkurt dhe mos t’ja mbathë.
Gjatë bisedës në studion e ABC News, Berisha u bëri thirrje vlonjatëve që në rast se, Rama shkon në Vlorë, ta kthejnë me forcë në Tiranë.
“E ftoj Ramën në rradhë të parë të mos dezertojë, por të qëndrojë në zyrë. U bëj thirrje vlonjatëve që ta kthejnë në Tiranë”, tha Berisha.
Duke folur për qeverinë tranzitore, Berisha tha se, misioni i saj kryesor është përgatitja e zgjedhjeve të lira dhe zbardhjen e plotë të dosjes 339.
“Nuk mund të pranohet qeveri me kryeministër socialist. Lulzim Basha nuk do ta bëntë më kurrë atë marrëveshje me Edi Ramën. Kjo opozitë duhet të zgjidhë me cdo çmim problemin e votës së lirë në këtë vend”, tha Berisha.
Berisha theksoi se Edi Rama faktoi se nuk bën zgjedhje.
Berisha komentoi ndër të tjera edhe marrëveshjen e shumë të përfolur të 18 Majit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Sipas tij, ajo marrëveshje ka vdekur tashmë dhe se nuk mund të ketë zgedhje të lira me Ramën kryeministër.
“Nuk ka njeri që mund të thotë se këtu, me Ramën mund të bëhen zgjedhje. Nuk jam autor i marrëveshjes së 18 majit, por jam mbështetës i saj. Marrëveshja ka vdekur. Basha ia ka bërë të ditur. Ajo nuk kthehet pa ikur Edi Rama. Një ”marrëveshje 2” do të varroste plotësisht procesin zgjedhor. Qëllimi i saj nuk ishte asgjë tjetër, veçse që shqiptarët të votonin të lirë”, u shpreh Berisha.
“U fut PD në zgjedhje dhe u faktoi shqiptarëve që ky nuk bën zgjedhje. Nuk ka kurrë zgjedhje të ndershme nëse kryeministri vendos ti blejë ato”, shtoi ish-kryeministri.