Berisha: Takimi me Bush, i thashë se për Kosovën do marrim armët, më pas shpalli “vijën e kuqe” për Jugosllavinë

PYETJE: Në 92, dy muaj pasi jeni zgjedhur president i Shqipërisë jeni pritur në Shtëpinë e Bardhë nga Bush i vjetri, dimë që keni diskutuar edhe për Kosovën. Cfarë saktësisht? I kërkuat ju diçka presidentit ameriakan apo ata kishin një plan të tyre për kosovën?
SALI BERISHA: Unë nuk mund të them se kishin një plan, një projekt për Kosovën në atë kohë, por ajo çka unë i kam thënë presidentit Bush është kjo: Situata është dramatike në Kosovë, Millosheviçi ka një projekt, dhe ky projekt është ndarja e Kosovës, spastrimi etnik nga pjesa dërrmuese e Kosovës e shqiptarëve dhe nisja e tyre drejt rrafshit të Dukagjinit dhe Shqipërisë. Dhe i kam thënë se Shqipëria nuk sulmon Jugosllavinë por, në rast se Millosheviç ndërmerr hapin më të vogël në këtë drejtim, Shqipëria do të hapë kufinjtë dhe shqiptarët do të luftojnë dhe reagojnë si komb i vetëm. I thashë se ne na kanë ndarë e na kanë coptuar me një padrejtësi historike shumë të madhe, por i drejtova një pyetje: pse do lëshojnë shtëpitë e tyre ata që kanë mijëra vjet aty? Dhe ai më tha: right point, pra pikë e drejtë. I thashë se shqiptarët do rrëmbenin armët për ekzistencën e tyre dhe se do ishte një luftë shumë e egër. Këte i kam thënë presidentit Bush. Më vonë presidenti Bush ka tërhequr, ka shpallur vijën e kuqe. A u ndikua apo jo nga unë këtë s’di ta them. Edhe Ibrahimi është pritur më vonë dhe është pritur shumë mirë nga Këshilltari i Sigurimit Kombëtar ku i ka paraqitur platformën e 13 pikave. A ishin këto shtysa për shpalljen e vijës së kuqe apo jo këtë s’mund t’a them. Por vija e kuqe ishte kjo: nëse ti do të zbresësh me ushtrinë në Kosovë, do të përballesh me të gjithë arsenalin e bombardimeve të SHBA, përveç bombave atomike, të gjitha llojet e raketave. Ky ishte paralajmërimi. Dhe në fakt ai u përmbajt, kishte korpusin në Nish dhe donte të fuste ushtritë.

PYETJE: Biseda juaj me Bush është thënë se është zhvilluar mbi një hartë për Ballkanin. Eshtë e vertetë kjo?
SALI BERISHA: Absolutisht po. Ai bisedën me mua e ka filluar me Kosovën, ka marrë një atllas, e hapi atë dhe kemi folur fillimisht për Kosovën. Më pyeti çfarë mendon ti dhe si është gjëndja. Dhe unë ja shpjegova të gjitha, i shpjegova planin e Millosheviçit, i shpjegova se është regjim aparteidi dhe segregacioni, dhe i shpjegova të gjitha projektet serbe për shfarrosjen e shqiptarëve. Kjo ishte pak a shumë ajo bisedë.
PYETJE: A kishte një vijë të kuqe mbi hartë apo jo?
SALI BERISHA: Tani nuk e mbaj mënd në kishte vijë të kuqe por bisedën e kemi zhvilluar mbi hartë./Kohavision/

Exit mobile version