Në harkun e pak javëve Silvio Berlusconi nuk do të jetë më pronari i Milanit, por sipas të gjitha gjasave nuk do të dalë nga skena. Ish-kryeministri i Italisë duket i gatshëm për të pranuar propozimin e grupit kinez të udhëhequr nga Sino-Europe Sports që dëshiron ta mbajë në rolin e Presidentit të Nderit te Milan.
Të gjitha pengesat duket se janë kaluar, pasi kjo zgjedhje e kënaq si Berluskonin ashtu dhe pronarët e rinj, dhe do të formalizohet në momentin e mbylljes së transaksionit, i parashikuar për në javën e fundit të nëntorit, ku priten edhe dorëheqjet e dy administratorëve të deleguar, Adriano Galiani dhe Barbara Berlusconi. Galiani e ka bërë të qartë se nuk është i gatshëm për të mbuluar një rol të ndryshëm nga ai aktual, i destinuar për Marco Fassonen, që ka filluar de fakto punën duke planifikuar merkaton e janarit dhe në kërkim të sponsorëve të rinj në Kinë.
Nga ana e saj, Barbara Berlusconi, ka mbledhur bashkëpunëtorët e saj për të bërë një përmbledhje të gjendjes në sektorin komercial të Milanit në prag të dorëzimit të klubit te drejtuesit kinezë. Grupi i Sino-Europe Sports po punon për të reduktuar pronësinë në 4-5 ortakë dhe pret lejen nga qeveria në Pekin për transferimin e 420 milionë eurove në Luksemburg, ku shoqëria ka selinë e saj Europiane. Transferimi i Milanit te kinezët do të kryhet pak ditë pas derbit të 20 nëntor me Interin, takim i rëndësishëm ky i kampionatit për të dyja ekipet.