Ndeshje delikate

Frederik Veseli është kthyer në fatsjellësin e Empolit, klub i cili ka filluar të sigurojë rezultate pozitive dhe i është larguar fundit të Serisë A që pas aktivizimit të tij. Lojtari shpreson që një gjë të tillë tashmë të ketë mundësinë ta bëjë edhe me kombëtaren shqiptare të futbollit, pasi është gati për të dhënë kontributin e tij me kuqezinjtë, nëse ia kërkon trajneri.
“Unë ndjehem mirë, besoj se shumica e lojtarëve po luajnë me skuadrat e tyre dhe jemi gati për këtë javë, për të bërë një ndeshje shumë të rëndësishme kundër Izraelit. Fizikisht jam mirë, këto ndeshjet e fundit u aktivizova me klubin dhe ndjehem mirë. Po jam gati, nëse nuk do të isha për këtë ndeshje do të ishte diçka shumë e keqe. Ndaj jam i përgatitur dhe gjendem në dispozicion të trajnerit e skuadrës”, tha futbollisti në konferencën e sotme për shtyp.
Sipas tij, ekipi ka entuziazmin e duhur dhe nuk ndikohet nga fakti që ndeshjen e fundit e mbylli me një humbje kundër Spanjës. “Entuziazmi duhet të jetë gjithmonë i pranishëm. Pastaj me Spanjën, mos harroni se 90% e skuadrave humbin ndaj saj, është një rezultat normal. Ndaj duhet të fokusohemi te Izraeli dhe të mos e lëmë atë humbje të na destabilizojë”, tha ai.
“Kemi mësuar se nuk ka më skuadra të vogla në ditët e sotme, unë besoj se ndeshjet më të rëndësishme janë kundër Izraelit, Italisë e Spanjës. Nuk i dihet, ndoshta ka një ditë të vështirë Italia e Spanja dhe mund t’i marrim një pikë apo fitore. Duhet të jemi gati në këto ndeshje dhe të marrim sa më shumë pikë”, tha Veseli.
Sipas Veselit, rezultati ndaj Izraelit varet edhe nga ajo që ofron Shqipëria në fushën e lojës, pasi synohet një lojë sa më e mirë. “Sigurisht, që nuk do të isha i kënaqur me barazim, por do të isha i kënaqur me një performancë të mirë. Nëse do të barazojmë dhe bëjmë një performancë të mirë, atëherë është një hap përpara. Por ne duam të fitojmë dhe të luajmë sa më mirë. Pastaj rezultati në fund nuk e vërteton çdo herë lojën. Nëse marrim barazim dhe nuk luajmë mirë, kjo është diçka negative. Por besoj se do të luajmë për fitore dhe nëse kemi një performancë mjaft të mirë, shpresoj se e arrijmë këtë objektiv”, u shpreh Veseli.
Veseli u kthye në një “mollë sherri” gjatë Europianit si për ftesën surprizë nga De Biazi, ashtu edhe për momentin në ndeshjen ndaj Francës, ku shumëkush i vuri atij fajin për golin e Griezman. Por futbollisti nuk mendon se faji ishte i tij, e për më tepër, synon që të kthehet në formacionin kuqezi. “Nuk e ndjej presionin e ndeshjes me Francën, pasi përgjegjësia nuk besoj se ishte e imja. Ishte e tërë skuadrës, por në zonën time arriti gabimi. Mund të bënim pak më mirë në ato momente, por Franca ishte kundërshtar shumë i fortë. Por nuk ndjej presion nga ajo ndeshje apo Europiani, pasi për mua ishte shumë pozitiv. Nuk shoh shumë mbrapa në kohë si lojtar apo person. Gjithmonë do të shoh përpara, që të përmirësohem sa më shumë dhe të luaj sa më mirë”, deklaroi ai.
Frederik Veseli e ka veshur në pesë raste fanelën e Shqipërisë, në humbjën 2-0 me Francën në finalet e Euro 2016, si dhe në 4 ndeshje miqësore në barazimet 2-2 me Kosovën dhe Gjeorgjinë, në fitoren 2-0 me Lukseburgun dhe në barazimin pa gola e Marokun në “Loro Boriçi”.

Exit mobile version