BERZH: Ballkanit Perëndimor i duhen dekada për të arritur standardin mesatar të jetesës në BE. Raporti i BERZH konstaton nevojën urgjente për një program të gjerë dhe gjithëpërfshirës reformash. Publikimi i këtij raporti përkon në kohë me zhvillimin në Londër, në selinë qëndrore të BERZH-it, të Konferencës Rajonale të nivelit të lartë për investime në Ballkanin Perëndimor (BP), e katërta në serinë e konferencave të tilla. Burime zyrtare të BERZH thanë për DW se qëllimi i kësaj konference është tërheqja e investimeve të huaja me fokus promovimin e projekteve në transport dhe energji dhe bashkëpunimin rajonal në këto fusha. Kryeministrat e gjashtë vendeve të rajonit, pjesëmarrës në këtë konferencë paraqitën mundësitë konkrete për investime të huaja në vendet e tyre. Zyra e shtypit në Kryeministri bën me dije se, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, prezantoi potencialet e Shqipërisë në sektorin energjetik dhe ato në atë të turizmit, i cili ofron mundësi investimesh të huaja, sidomos në turizmin elitar. Por të dhënat e publikuara në “Raportin diagnostikues” të BERZH-it prezantojnë sfida të mëdha që mundësitë për investime të huaja në Shqipëri dhe pesë vendet e tjera të BP të kthehen në realitet.
Diagnoza e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor
Raporti konfirmon potencialin e fortë ekonomik të BP për rritje ekonomike dhe për të kapur standardet e BE. Por të gjashtë vendet e rajonit duhet të bëjnë “më shumë për të përmirësuar performancën e tyre ekonomike”. Në progresin drejt anëtarësimit të mundshëm në BE, të gjashtë vendeve aspirante një rol pozitiv po luan bashkëpunimi rajonal mes “Shqipërisë, Bosnjë- Hercegovinës, Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë”, vëren raporti. Por sfida më e madhe e vendeve të BP mbetet arritja e standardeve të jetesës së BE. Sipas raportit diagnostikues të BERZH do të duhen dekada, madje edhe me skenarët më optimistë, që rajoni të arrijë standardet mesatare të jetesës së BE. Për arritjen e plotë të këtyre standardeve, vendet e BP duhet të “zbatojnë një axhendë të vendosur dhe gjithëpërfshirëse të reformave për rritjen e produktivitetit dhe investimeve”, thekson raporti.
Produktiviteti i ulët shkak themelor i zhvillimit të ulët ekonomik në BP
Produktiviteti i ulët reflekton institucionet e dobëta dhe mjedisin e vështirë të biznesit në BP, konstaton raporti. Sfidat më të mëdha që gjashtë vendet e rajonit duhet të fitojnë janë ato në fushat e konkurrencës dhe qeverisjes së mirë. Realiteti aktual në BP është i tillë ku “institucioneve të dobëta u shtohet edhe prania e madhe e shtetit në industri të caktuara, gjë që frenon sektorin privat, kontribuesin kryesor të prodhimit ekonomik nga arritja e potencialit të plotë të tij”. Raporti vëren se, produktiviteti i sektorit privat në të gjithë BP është vetëm 60% i nivelit të BE në tërësi, ku industritë përpunuese kanë 55% produktivitet dhe shërbimet kanë një mesatare prej 70%. Përveҫ kufizimeve në produktivitetin e ekonomive dhe rritjen e tij, raporti identifikon nivelin e ulët të përfshirjes së të rinjve, konkurrencën e pandershme nga sektori informal, korrupsionin, administratën e rëndë tatimore dhe probleme me energjinë elektrike. Kjo situatë lë në zonën evropiane me rreth 20 milionë njerëz, të rrethuar nga vende të BE, të ketë Prodhimin e Përgjithshëm Brutto, (PPB) me një mesatare për individ që është vetëm një e katërta e shumës që ka një individ në vendet më të pasura të BE në Evropën Perëndimore.
Si mund të mbyllet hendeku i mirëqenies mes BP dhe BE?
Peter Sanfey, kryekonomist, Zëvendës Drejtor i BERZH në Departamentin për Ekonominë dhe Politikat është optimist se situata mund të ndryshojë për mirë. “Hulumtimi ynë tregon çështjet që duhet të adresohen. Por është gjithashtu e rëndësishme të shihet se këto janë sfida, jo pengesa të pakapërcyeshme. Ato tregojnë nevojën për zbatimin e një programi gjithëpërfshirës dhe të gjerë reformash”. Për të mbyllur hendekun e produktivitetit ekonomik dhe nivelit të mirëqenies së qytetarëve të BP me ata të BE fjala kyҫ është intensifikimi i reformave që kanë për qëllim ndërtimin e ekonomive të qëndrueshme të tregut. Raporti u bën thirrje vendeve të BP të nxisin një sektor privat dinamik dhe të gjallë, të mbështetur nga flukse të fuqishme të investimeve vendase dhe të huaja ku “shteti duhet të luajë një rol të rëndësishëm, duke siguruar sundimin e ligjit, një mjedis të qëndrueshëm makroekonomik dhe rregulla të qarta loje për bizneset”.
Platformë rajonale elektronike “one shop stop” për investime në BP
Burime nga BERZH bëjnë të ditur se në konferencën për investimet në rajonin e BP u lancua edhe kjo platformë. Ajo pritet të rrisë forcën tërheqëse të rajonit për investime të huaja direkte, si motori kryesor i rritjes ekonomike. Platforma Rajonale do të ofrojë shërbime “one shop stop” për investitorët e huaj të interesuar për Ballkanin Perëndimor. Ajo është fryt i bashkëpunimit mes Dhomave Kombëtare të Tregtisë së gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Platforma do të luajë rol të rëndësishëm për iniciativa që do të eliminojnë barrierat e biznesit dhe krijojnë një harmonizim të rregulloreve, procedurave dhe praktikave për operacione më efikase të biznesit të kompanive. Kjo platformë e ngritur me mbështetjen e BERZH shihet si një investim kryesor institucional në Ballkanin Perëndimor.