Lufta partiake mbi emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë amerikane do të përfshijë Kongresin, pas rikthimit të ligjvënësve sot nga një pushim dy javor. Korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Michael Bowman njofton se kjo betejë do të ndikojë në përbërjen ideologjike të Gjykatës së Lartë, pas vdekjes së gjykatësit konservator, Antonin Scalia:
Kongresi ishte në pushim javën e kaluar, por tre senatorë erdhën në Uashington për t’u takuar me kandidatin e emëruar nga Presidenti Obama për postin e anëtarit të Gjykatës së Lartë. Njëri prej tyre ishte senatori Mark Kirk, i pari republikan që takohet me gjykatësin federal Merrick Garland. Sen. Mark Kirk, republikan:
“Ndërkohë që presidenti emëroi gjyqtarin Garland, ne duhet t’i japim atij këshilla dhe pëlqimin. Ne duhet të kemi një shqyrtim racional, të pjekur, dhe me mendje të hapur të këtij procesi kushtetues”.
Ndërsa dhjetëra republikanë të tjerë thonë se, ata janë të gatshëm të takohen me gjykatësin Garland, vetëm dy prej tyre po bëjnë thirrje që Senati të marrë në shqyrtim emërimin e tij. Senatori i tretë, Jerry Moran, bëri thirrje për zhvillimin e një seance dëgjimore, por dy ditë më vonë, ndryshoi qëndrimin e tij.
Demokratët, ndërkohë, mbështesin zotin Garland. Sen. Kirsten Gillibrand, Demokrate:
“Ai është i kualifikuar dhe unë mendoj se është detyrim i Senatit që jo vetëm të zhvillojë një seancë, por edhe të votojë për emërimin e tij”. Sen, AL Franken, demokrat:
“Ne jemi duke konfirmuar, ose po vendosim nëse do të konfirmojmë një anëtar të Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë nuk duhet të jetë politike”.
Por republikanët kontrollojnë Senatin. Nëse ata vendosin të mos e shqyrtojnë këtë, kandidatura e zotit Garland mund të mbetet në harresë.
Sen. Mitch McConnell, republikane:
“Duhet të lejojmë popullin amerikan të vendosë. Senati do ta rishqyrtojë çështjen në mënyrë të duhur, kur të marrë në konsideratë kualifikimet e kandidatit të emëruar nga presidenti i ardhshëm, kushdo që mund të jetë”.
Përbërja ideologjike e Gjykatës së Lartë është bërë pjesë e debatit në garën presidenciale.
Ted Cruz, kandidat presidencial:
“Nëse Hillary (Clinton) zgjidhet presidente, Gjykata e Lartë do të jetë e humbur për një brez, dhe Billi i të Drejtave do të jetë i humbur”.
Sondazhet tregojnë se, shumica e amerikanëve mbështesin shqyrtimin e plotë nga Senati të gjykatësit Garland. Demokratët besojnë se republikanët do të respektojnë vullnetin e publikut ose do të vuajnë pasojat në zgjedhjet e nëntorit. Megjithatë, shumica e senatorëve republikanë vazhdojnë të mbajnë një qëndrim të fortë në lidhje me këtë çështje.