“Russia Direct”
Deri më sot nuk ka patur asnjë fushatë presidenciale amerikane që të ketë përmendur kaq shumë emrin e një lideri rus. Trump ka komentuar vazhdimisht lidhur me fjalët lavdëruese të Putinit. Gjatë një mitingu fushate në Iowa, ai tha se republikanët e tjerë janë “xhelozë” për faktin që Putini e lavdëron kaq shumë, megjithatë ka vendosur të mos t’i përmendë emrat e tyre. Trump deklaroi edhe një herë se është i gatshëm të bashkëpunojë me Putinin. “Të them të drejtën, kam mendim të mirë për të. Mendoj se mund të bashkëpunojnë shumë mirë me Rusinë dhe ta përdorim në avantazhin tonë… në avantazhin e të dyja palëve”, tha Trump.
Pavarësisht ndryshimeve të mëdha që ekzistojnë ndërmjet sistemit politik në Amerikë dhe Rusi, nëse Trump do të ishte politikan rus, ai do të kishte fituar një popullaritet të madh ndër publikun rus. Shkencëtari politik ukrainas, Ivan Siyak, ka mbajtur një sondazh interesant, në të cilin krahasoi platformën e Trumpit dhe rezultatet e opinioneve ruse në sondazhe.
Kandidati republikan shfaqet tepër i ashpër për çështjen e emigracionit, madje ka propozuar që t’i mohohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të gjithë myslimanëve. Sipas sondazhit të Qendrës Levada të kryer në gusht të vitit 2015, 68 për qind e rusëve besonin gjithashtu se, qeveria duhet të frenojë drastikisht prurjen e emigrantëve. Trump gjithashtu mbështet dënimin me vdekje. Sipas një sondazhi të vitit 2015 të Fondacionit të Opinionit Publik, 60 për qind e rusëve janë dakort me të.
Trump bën thirrje edhe për ndërhyrje të kufizuar ushtarake jashtë kufijve të Shteteve të Bashkuara. Ai i referohet “çështjes së Krimesë” si një problem tërësisht europian, dyshon se përgjegjësit e rrëzimit të avionit të “Malaysian Airlines” në Donbas do të zbulohen ndonjëherë dhe sygjeron se Amerika duhet të tërhiqet nga Siria. Sondazhet e Qendrës Levada tregojnë se, shumica e popullsisë ruse (71 për qind) mendojnë se Shtetet e Bashkuara kanë patur një impakt negativ në problemet e botës.
Kandidati amerikan për president flet në favor të ndalimit të abortit, përveç rasteve kur shtatëzania është rezultat i një përdhunimi ose incesti, apo kur shëndeti i nënës është në rrezik. Sipas sondazhit, gjatë 17 viteve të fundit shumica e rusëve që mendonin se aborti duhet të jetë i ligjshëm dhe të kryhet sipas dëshirës së gruas është ulur nga 65 në 51 për qind. Për këto arsye, Trump do të ishte një kandidat ideal për presidencën e Rusisë.
Duket se mbështetja e Moskës për Trumpin është pjesë e një strategjie të unifikuar të krijimit të aleancës me këdo që kërkon të bashkëpunojë me Rusinë, bie në kundërshtim me politikën aktuale të izolimit dhe flet për kundërshtimin e sanksioneve ekonomike. Paradoksalisht, miqtë e Rusisë janë politikanë dhe parti të opozitës së polarizuar, siç është Fronti Kombëtar i Francës drejtuar nga Marinë Le Pen, e majta Syriza në Greqi dhe e majta Podemos, që arriti një fitore të madhe në zgjedhjet e fundit dhe u bë forca e tretë e madhe politike në Spanjë.
Çfarë kanë të përbashkët të gjithë këto grupe politike? Lideri i Podemos, Pablo Iglesias, është kundër sanksioneve të imponuara mbi Rusinë dhe mendon se Moska duhet të rianëtarësohet në G8 dhe në Këshillin Rusi-NATO. “Është mirë që europianët të ruajnë një marrëdhënie paqësore me Rusinë. Nuk është e nevojshme që të përfshihemi në përballje ushtarake me Rusinë, gjë që po ndodh në Ukrainë”, ka thënë Iglesias për “Die Zelt”.
“Rusia është pjesë integrale e hapësirës europiane që nga Atlantiku deri në malet Urale”, thekson Alexis Tsipras, lider i Syrizës. Ai thekson se, sanksionet kundër Rusisë janë kundërproduktive. “Europa është në telashe. Ne jemi kundër çdo ndërhyrje ushtarake dhe duam të lehtësojnë dialogun ndërkombëtar në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje diplomatike”.
Putini si politikan nuk bën pjesë në asnjë ideologji të veçantë dhe është i gatshëm të përpunojë marrëdhëniet e Rusisë me këdo forcë politike që shfaqet si miqësore. Kështu, Kremlini duket i gatshëm të dobësojë Bashkimin Europian, duke mbështetur fuqimisht partitë rebele të Europës. Po kështu, duke mbështetur Donald Trumpin, përpiqet të aplikojë të njëjtën qasje edhe në Shtetet e Bashkuara.
Duke dalë në krah të forcave politike margjinale që papritur kanë fituar popullaritet, Kremlini po përpiqet të thyejë politikën e tij të izolimit dhe të kapërcejë një pjesë të komplekseve të Putinit, veçanërisht për faktin se, gjatë viteve të fundit, Presidenti rus ka humbur shumë miq të rëndësishëm europianë dhe simpatizantë që bëjnë pjesë në politikanët kryesorë të botës.
Megjithatë, shkencëtarët politikë rusë besojnë se, Putini dhe Trumpi do të përplaseshin për shkak të disa problemeve serioze psikologjike në rast se ky i fundit do të bëhej president i Shteteve të Bashkuara. Sipas një studimi të drejtuar nga Ekaterina Egorova, presidente e Agjensisë së Komunikacionit Strategjik, Niccolo M dhe nga Elizaveta Egorova, drejtuese e përgjithshme e “Politcal Prifiler”, “Putini i “lexon” lehtësisht partnerët e tij, duke vëzhguar mënyrën se si komunikojnë. Gjithçka që i është dashur të bëjë ka qenë të shikojë mënyrën se si kandidati republikan shfaqet në publik për të kuptuar se sa i dobët dhe i cenueshëm është Donald Trump. Më tej, sapo Putini të perceptojë dobësinë e tij, ka për ta lënë Trumpin mënjanë dhe ta përdorë në avantazhin e tij. Ky është thjesht një refleks politik i Putinit, asgjë personale”.
Studiueset besojnë se problemi më i madh i Trump është mungesa e tij e theksuar e eksperiencës në politikën e jashtme dhe më shumë akoma në politikën e mbrojtjes. Putini i sofistikuar, i cili ka mësuar gjithçka mundej nga kundërshtarët e tij politikë, nuk ka gjasa të lërë të ikë një pre kaq të lehtë. Ai ka për të kapitalizuar dhe shfrytëzuar maksimalisht çdo hap të gabuar dhe amator të Trumpit. Përsa i përket këtij të fundit, Trumpi duket se po i pëlqen të sillet si “fëmija i keq” i kësaj gare presidenciale. Ky është një qendrim që Putinit do t’i pëlqejë shumë, veçanërisht pjesa “fëminore”.
Pjesa më e madhe e dijetarëve amerikanë të politikës mendojnë se, Trump nuk ka asnjë shans të fitojë garën presidenciale dhe se mbështetja e tij do të ulet ndjeshëm. Egorova mendon se Jeb Bush, një tjetër kandidat i mundshëm republikan, do të ishte opsioni më i përshtatshëm në perspektivën ruse.
Sipas studimit të saj, Jeb është më i ngjashëm me të jatin se sa me vëllanë e tij. Ai mund të ishte një lider i vlefshëm dhe një partner i mirë ndërkombëtar për të gjithë krerët e shtetit, përfshirë këtu edhe Putinin. Megjithatë, mendohet se Jeb Bush, edhe pse i matur, i mirëshkolluar dhe një politikan i qetë, nuk ka për të qenë kandidati republikan.
Në ditët e sotme, Europa e Vjetër dhe Bota e Re preferojnë kandidatë republikanë, të cilët nuk janë pjesë e sistemit. Ata favorizojnë kandidatët që ofrojnë zgjidhje radikale për të gjitha problemet. Tani që bota është përfshirë në kaos, këto trende të reja mund të kthehen në dividente të mira për Kremlinin, i cili zakonisht “bezdiset” nga liderët e vjetër konservatorë dhe nga institucionalizimi i politikës globale.