Biden dhe Trump do të takohen në Zyrën Ovale javën e ardhshme! Çfarë pritet të ndodhë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do ta mirëpresë presidentin e zgjedhur, Donald Trump, në një takim tradicional pas zgjedhjeve në Zyrën Ovale të mërkurën e 13 nëntorit, njoftoi Shtëpia e Bardhë të shtunën.

 

Një takim i tillë është i zakonshëm mes presidentit në largim dhe presidentit të ardhshëm, dhe kryesisht ka për qëllim të shënojë fillimin e kalimit paqësor të pushtetit në përputhje me demokracinë amerikane.

Por, Trump, atëherë president, nuk e kishte mirëpritur Bidenin në një takim të tillë pas zgjedhjeve të vitit 2020, kur Trump humbi në përpjekje për t’u rizgjedhur.

Trump, republikan, garoi për president përsëri katër vjet më pas, dhe të martën e kaluar, ai e mposhti nënpresidenten Kamala Harris, kandidaten e nominuar të demokratëve.

Trump është ish-presidenti i parë që kthehet në pushtet pas Grover Cleveland, i cili e i kishte fituar zgjedhjet e vitit 1892 për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Bideni, demokrat, i telefonoi Trump të mërkurën e kaluar për ta uruar për fitoren dhe e ftoi për takim në Zyrën Ovale.

Gjatë një fjalimi të enjten, Biden tha se e ka siguruar Trump se “do ta udhëzoj tërë administratën time për të punuar me ekipin e tij për kalimin e pushtetit në mënyrë paqësore. Këtë e meriton populli amerikan”.

I pyetur të shtunën për Trump, Bideni tha se “do të takohem me të mërkurën”./REL

Exit mobile version