Biden pritet me protesta në Beograd dhe foton e Trump

Derisa nënpresidenti Biden po bisedonte me Kryeministrin serb, qindra mbështetës të Partisë Radikale serbe, protestuan kundër vizitës së tij, duke brohoritur në favor të kandidatit presidencial amerikane, Donald Trump.
Protestuesit që po brohorisnin “Votoni për Trumpin” mbanin të veshura bluza me portretin e kandidatit republikan.
“Trumpi është alternativë e globalizmit. Ai do të shkatërrojë qendrat e vjetra të fuqisë në Amerikë dhe është mbështetës i Rusisë”, tha kryetari i Partisë Radikale, Vojislav Sheshel, dikur shef i Kryeministrit aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Presidentit serb, Tomislav Nikoliç.
“Joe Biden duhet ta dijë që Serbia nuk e do, por e urren atë”, tha Sheshel duke nënvizuar rolin e Shteteve të Bashkuara në fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë në vitin 1999, që çuan në përfundimin e luftës në Kosovë.
Nënpresidenti Biden, ndërkaq pas takimit me Kryeministrin serb shprehu ngushëllimet e tij për serbët që kanë humbur jetën gjatë bombardimeve të NATO-s, duke u bërë kësisoj zyrtari i parë amerikan që e bën një gjë të tillë.
Shtetet e Bashkuara luajtën rolin kryesor në fushatën e bombardimeve të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në proceset politike që çuan në pavarësinë e saj, e cila vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi.
Ndonëse nuk u përmend gjatë konferencës me gazetarë, besohet se nënpresidenti Biden ka nxitur Beogradin që të trajtojë me përparësi çështjet që lidhen me krimet e luftës. Në këtë kuadër ai besohet të ketë diskutuar edhe ndriçimin e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyçi, tre shqiptaro-amerikanë që u vranë në rrethana të panjohura në korrik të vitit 1999.

Exit mobile version