Një takim i përbashkët i qeverisë së Serbisë dhe asaj të Shqipërisë, në praninë e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Kosovës, pritet të mbahet brenda një muaji në Nish, mëson Radio Evropa e Lirë nga burime të afërta me qeverinë në Beograd.
Hollësitë e takimit nuk janë saktësuar, por mendohet se në këtë takim nuk do të marrin pjesë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ose Kryeministri Isa Mustafa, por një nivel më i ulët politik. Delegacionin e Shqipërisë do ta udhëheqë Kryeministri Edi Rama.
Takimin në Nish, që ende është në fazën e planifikimit, e inicioi Beogradi dhe koncepti i tij është që të mos jetë dialog ndërmjet shtetit shqiptar dhe atij serb, por dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon. Për këtë arsye edhe do të ftohen përfaqësues politikë të shqiptarëve nga Kosova.
Në takim, siç i është thënë Radios Evropa e Lirë, në mënyrë jozyrtare nga burime të afërta me qeverinë e Serbisë, pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues serbë e shqiptarë nga rajoni, por lista përfundimtare ende nuk është përcaktuar.
Ajo që ka qenë e paparamendueshme të ndodhë pak muaj më parë duket se mund të realizohet së shpejti.
Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, i tha nënpresidentit amerikan Joe Biden, gjatë vizitës së këtij të fundit në rajon, në një periudhë të ngecjeve të përparimit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, se brenda një muaji “do ta mirëpres Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama”, por edhe liderë të tjerë nga Kosova, pa saktësuar për kë bëhet fjalë…
“…Do të mirëpresim edhe disa nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës dhe Metohisë, do të mirëpresim shumë njerëz në forumet e biznesit, në takime”, tha Vuçiç.
Analistë në Beograd, ndërkaq, thonë se ftesa për praninë e zyrtarëve nga Kosova krahas Kryeministrit shqiptar mund të bëhet me rastin e fillimit të punimeve në autostradën Nish-Tiranë, që kalon nëpër Kosovë.