Pas ARMO-s dhe CEZ, rruga Thumanë-Kashar po konsolidohet si afera e tretë më e madhe korruptive në historinë e pluralizimit në Shqipëri, me përfitues oligarkun Bashkim Ulaj, bankomat i Familjes Berisha.
Edhe pse nga më të shtrenjtat në histori, 22 milionë euro për kilometër, 435 milionë euro për 21 km, e ashtuquajtura autostradë Thumanë-Kashar është jashtë standardeve dhe madje po kthehet me shpejtësi në rrezik serioz për aksidente, për shkak të rënies së shtresës së afaltit dhe krijimi i disniveleve në karrexhatë.
Një vlerësim më profesional do t’a bënin ekspertët dhe një hetim serioz, por duket se rënia e shtresës asfaltike është pasojë e materialit të dobët për ngritjen në nivel të rrugës.
Përbërja dhe ngjeshja e shtresave duket se nuk është bërë sipas specifikimeve teknike. Mbetet për t’u parë nëse abuzimi me shtresat e ngritjes në nivel të rrugës është bërë nga trysnia për t’a përfunduar shpejt segmentin, papaftësia, për qëllime fitime apo të tria bashkë.
Një tjetër problem tejet serioz që konstatohet në autostradën 21 km Thumanë-Kashar të ndërtuar nga Bashkim Ulaj, është mungesa e lidhjes sipas standardit mes urave dhe pjesës vijuese të rrugës.
Mes urave dhe rrugës ka një shkëputje, e cila sa vjen e bëhet edhe më e dukshme. Paraprakisht besohet se skandali konsiston në paaftësinë e inxhinierëve për lidhjen sipas standardeve të urave me pjesën e rrugës, për shkak të ngjeshjes jo sipas standardeve në dy anët e urave.
Ka dyshime të forta se kostoja reale e rrugës është sa 20 % e vlerës së deklaruar 435 milionë euro.
Me kërkesë të disa deputetëve të Partisë Demokratike, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të nisë një auditim të të ashtuquajturës autostradë Thumanë-Kashar, për të cilën shqiptarët do t’i paguajnë 1.2 miliardë euro oligarkut Bashkim Ulaj, para të cilat sigurisht që nuk do t’i mbajë dhe nuk mund t’i mbajë të gjitha për vete.
Krahas auditimit nga ana e KLSH, një kallëzim penal po përgatitet për t’u referuar në SPAK për korrupsionin me rrugën Thumanë-Kashar, ndonëse SPAK mund të ketë nisur hetimet kryesisht./ Prapaskena