Një britmë për atë që justifikohet  “aq munda, ashtu ishte koha!”

Nga Agim Baçi
Rrallherë mund të ndodhë që të trembesh nga një faqe libri. Më saktë nga një fjali e shkruar. Por ja që shkrimtarja Ayn Rand nuk të kursen nga kjo tronditje.
Çfarë mund ta shkaktojë një katastrofë tërësore për njerëzit: të kërkosh të unifikosh mendjen dhe pamjen e anëtarëve të një shoqërie, deri sa të besosh se ka edhe “dashuri me urdhër!”?.
Nëse arrin të shkosh te “një shoqëri që dashuron me urdhër!”, atëherë me shumë mundësi je në rrugë për në greminë. Sepse kur ta përcaktojnë dhe Dashurinë, nuk ka më asgjë të jetë e jotja, ose ka vetëm hiçasgjë. Në një shoqëri të tillë mungon tërësisht Njeriu.
Jeta në rrëfimin e Rand nuk nis me emër njeriu,  por me numër – pra veçse me kokëtundës, pa ndjenja. Në sfond, si për të plotësuar gjithë telajon ku shtrihet rrëzimi i Njeriut, qëndron “dhoma e çiftëzimit”. Jeta dhe puna s’të përkasin më ty. Janë pronë e të gjithëve. Mendimet duhet të jenë njëlloj. Dashuritë njëlloj. “Shkelja e nenit për Preferenca të Barabarta” është krim që ndëshkohet. Por a mundet që të duam njëlloj? A mund të kemi ndjesi të barabarta për këdo?
Nëse do besonim se ka dashuri njëlloj, përjetim njëlloj, atëherë je thjesht në një gënjeshtër të madhe, pavarëshsit nëse e she ti apo jo.
Dhe Ayn Rand, njohëse e shoqërisë totalitare, ka përshkruar ngjyrat e errëta që vijnë nga humbja e  përditshme e njerëzores në një shoqëri “ideologjike-diktatoriale”. Në fakt, duket sikur Rand na fton që në fillim përballë telajos së bardhë dhe sheh vetë se si pak e nga pak autorja plotëson pikturën me humbjen e çdo vetie njerëzore. Natyrisht është një pikturë e zezë, ku janë zënë hapësirat e së bardhës. Siç është dhe vetë kopertina e sugjeruar thuajse në të gjitha botimet e këtij libri, ku gjithçka është e zezë – madje më e errëta e së zezës. Ka humbur fjala “Unë”. “Barazia 72521” është thjesht një dallim, por nuk është person. Eshtë “një prej të tjerëve”. Eshtë rritur pa nënë, pa baba, në një turmë që e udhëheq drejt një bote ku humb gjithçka individuale.
Shqiptarët, për fat të keq, kanë fjetur për dekada në këtë shtrat absurd të humbjes së fytyrës së tyre. Dhe shenjat e atij gjumi i kemi mbartur edhe pas më shumë se tridhjetë vitesh nga ai zgjim, pasi nuk arritëm të dilnim nga ajo errësirë me njerëz që të besonin se mund të kishin mendimet e tyre, idetë e tyre. Shumica thjesht kishte krijuar bindjen se çdokush duhej të ishte ushtar i partisë.
Por çndodh me personazhin tonë “Barazia 72521”? Ai zbulon Elektricitetin dhe Librin. Nga ky kontakt ai nis të mendojë. Dhe autorja duket sikur na thotë: Eshtë një kapërcim i madh të lejosh veten të mendosh në atë botë absurdi! Elektriciteti dhe libri vijnë si një metaforë që ndez llampat tona të brendshme. Drita dhe Libri janë zbulimi i “Un”-it dhe “Ego”-s. Dhe njeriu nis të shohë dhe mendojë.
Cila është dëshira më e fortë e diktaturës ndaj njerëzve të republikës së saj: të mos mendojnë ndryshe nga ajo që sugjerojnë partia, të mos shohë më tutje se ç’i kërkohet nga partia. Pse? Sepse ashtu ata kontrollohen më mirë.
Sepse nëse nuk ka dashuri, nuk ka as mëshirë. Nuk ka as Njeri, ndaj dhe gjithçka ndaj kujtdo mund të justifikohet lehtësisht.
Dhe çfarë ka ndodhur në një shumicë dërrmuese te ata që kaluan vite jete nën diktaturë duke aprovuar apo vepruar vetëm me urdhër, edhe kur i merrnin tjetrit jetën, familjen, pronën? Ka ndodhur ë të triumfojë formula trishtuese: “Aq munda të bëja!”. E në emër të gënjeshtsës ndaj së shkuarës sonë, kemi vijuar të mos guxojmë t’i shkojmë në thelb analizës së njeriut të djeshëm, që humbi dhunshëm vetveten dhe të tjerët.
***
Nëse është thënë shpesh se Letërsia nuk është vetëm lexuese e së djeshmes por edhe pararendëse e rrugëtimit që do të bëjë, atëherë mund të themi me bindje se Ayn Rand ja ka arritur. I botuar në vitin 1937, fatkeqësisht ky libër arriti të vërtetohej mbi shumë popuj. Fatkeqësisht, në mënyrën më të dhushme pikërisht në Shqipëri…
Exit mobile version