Biletat e avionëve, shqiptarët vizitojnë Europën përmes fqinjëve

????????????????????????????????????

Agjencitë shqiptare të udhëtimit po ofrojnë paketa turistike për vende të ndryshme të Europës, që fluturimet i kanë nga Shkupi ose Podgorica. Kursimi arrin deri në 100 euro për person. Edhe vetë individët po i bëjnë llogaritë dhe po zgjedhin të presin biletat në internet nga aeroportet fqinjë. Nga Maqedonia, udhëtimi në Barcelonë vetëm 100 euro, nga Shqipëria mbi 250 euro. Barcelona është një nga destinacionet e preferuara të të rinjve shqiptarë, kur vjen puna tek Europa. Një pjesë e tyre preferojnë të realizojnë udhëtime të pavarura nga A-ja te ZH-ja. Ina, një vajzë 25-vjeçare zgjodhi që së bashku me partnerin e saj të vizitonin për 5 ditë Barcelonën, ndërsa e programoi udhëtimin e saj nga Shkupi. Dhe jo pa qëllim. Bileta e avionit vajtje/ardhje nga Shkupi për në Barcelonë i kushtoi 100 euro për person, një çmim që nga Tirana nuk mund të gjendet kurrsesi. Udhëtimin vajtje/ardhje nga kryeqyteti maqedonas e realizoi me minibus. Ndërsa u akomodua në një hotel, i cili kushtonte 40 euro nata me mëngjes të përfshirë. Në total, shpenzimet e saj fikse u llogaritën në rreth 380 euro. Për të njohur Barcelonën, prenotuan një guidë vendase, e cila i udhëhoqi drejt pikave kryesore. Kostoja për dy ditë të plota e guidës ishte 39 euro. Ndërsa zgjodhën për të konsumuar meny ditore, që nuk shkonin më shumë se 12 euro personi. Nëse do të kishin zgjedhur të udhëtonin nga Shqipëria, çmimi minimal i biletës do të ishte mbi 250 euro. Por, paketa me fluturime nga aeroportet e shteteve fqinje ofrojnë edhe agjencitë turistike në Tiranë. Agjencia “Kalemi” ofron udhëtime në Barcelonë për 4 ditë për person ku përfshihen udhëtimi me avion vajtje/ardhje si dhe akomodimi në hotel me 3 yje me mëngjes. Në rast se do të zgjidhet fluturimi nga Aeroporti i Shkupit kjo paketë ka një kosto që llogaritet në rreth 239 euro për person, ndërsa me nisje nga Tirana për të njëjtën paketë, çmimi rritet dhe shkon në 349 euro për person. Pra, kursimi është 100 euro për person. Por, për të përfituar nga kjo ofertë, agjencia sqaron se rezervimet duhet të bëhen rreth 4 javë përpara nisjes. Amsterdami gjithashtu është një destinacion që mund të vizitohet, me paketa që përfshijnë fluturimin nga Aeroporti i Shkupit. Drejtuesit e agjencisë turistike “Kalemi” sqarojnë se për katër ditë qëndrim në hotel me 3 yje me mëngjes të përfshirë, kostoja llogaritet duke filluar nga rreth 209 euro për person. Por, për të njëjtin udhëtim me nisje nga Tirana, kostoja shkon në 415 euro për person. Ndërsa një udhëtim 4-ditor për në Venecia me fluturim nga Shkupi, për një qëndrim në një hotel me tre yje me mëngjes të përfshirë llogarit një kosto duke filluar nga 169 euro për person, ndërsa nëse nisja do të bëhet nga Tirana, atëherë çmimi i paketës shkon në 249 euro për person. Në të gjitha rastet, nëse do të doni që transportin nga Tirana drejt Shkupit (dhe anasjelltas) ta realizojë agjencia, do t’ju kushtojë 30 euro. Podgorica është një tjetër destinacion i preferuar. Agjencitë të ndryshme ofrojnë bileta për udhëtime nga ky aeroport me çmime mjaft më të lira se nga Shqipëria, që luhaten mesatarisht 100-150 euro, ose 50 euro për një drejtim. Edhe nga Tivari, për në Londër mund të gjesh bileta 150 euro vajtje-ardhje.

Exit mobile version