Për herë të dytë brenda tre ditëve, naftëtarët e Ballshit kanë protestuar duke kërkuar rrogat e prapambetura. “Ne për bukën e fëmijë bëjmë gjithçka. Edhe jetën”, tha për Ora News një nga protestuesit. Ndërsa, një tjetër paralajmëroi edhe grevë urie. Si në protestën e 1 Qershorit, protestuesit tentuan të hyjnë sërish në mjediset e uzinës për të stakuar nënstacionin elektrik, por u përballën me forca të shumta policore, shkruan ABC News. Protesta e naftëtarëve të Ballshit vazhdoi përpara uzinës ku ata kërkuan dhënien e pagave të papaguara prej 10 muajsh dhe vënien e uzinës në punë. Përveç pagave, naftëtarët e Ballshit kërkojnë transparencë në procesin e shitjes në ankand të uzinës për të mos lejuar, siç ata thanë për ABC News, që uzina të blihet nga kontrabandistët e radhës. Tashmë, asetet e uzinës, si pjesë e kompanisë Armo po shiten në ankand për të shlyer pagat e punonjësve dhe më pas kreditorët. Armo falimentoi për shkak të bllokimit të llogarive bankare nga shteti, masë kjo që u mor për taksat e papaguara nga kompania.