Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor që u jep dy kryetarëve të partive të mëdha, Rama dhe Berisha, të drejtën e emërimit të një numri të madh deputetësh në parlamentin e ardhshëm, kampet politike bëjnë llogaritë se kush del i fituar, ndërkohë që partitë e reja paralajmërojnë një betejë në Gjykatën Kushtetuese.
Deputetët e Partisë Socialiste dhe ata të Partisë Demokratike bashkuan kartonët jeshilë më 26 korrik në favor të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, që u lënë kryetarëve monopolin e përcaktimit të listave fituese të kandidatëve për deputetë.
Pas një seance maratonë, ndryshimet në Kodin Zgjedhor u miratuan më 106 vota pro, asnjë abstenim dhe dy vota kundër.
Me formulën e dakordësuar pak ditë më parë në grupin e dialogut mes Damian Gjiknurit të Partisë Socialiste dhe Oerd Bylykbashit të Partisë Demokratike, 1/3 e listës shumëemërore të kandidatëve do të jetë e mbyllur dhe do të caktohet nga kryetari i partive, ndërsa qytetarët do të kenë mundësi për votë parapëlqyese në 2/3 e mbetur të listave për çdo parti politike.
Sipas ndryshimeve ligjore, shumica dërrmuese e deputetëve në parlamentin e ardhshëm do të emërohen nga kryetarët e dy partive të mëdha, Edi Rama dhe Sali Berisha – një lëvizje që shënon një hap mbrapa krahasuar me zgjedhjet e shkuara parlamentare të vitit 2021.
Megjithatë, negociatori socialist, Damian Gjiknuri këmbëngul se mes Ramës dhe Berishës nuk ka pasur asnjë pazar.
“Për ata që thonë se është pazar “Rama-Berisha” si në 2008-ën, gaboheni shumë. U munduam dy vite për një reformë gjithëpërfshirëse,” tha Gjiknuri për BIRN.
Gjiknuri tha gjithashtu se Partia Socialiste ishte për një formulë tjetër, por varianti final erdhi si rezultat i kundërpropozimit nga Partia Demokratike me të cilin u gjet “kompromisi kushtetues”.
“Me këtë mënyrë janë në lojë 40 mandate. Po bëjmë një hap më shumë, duke rritur masën e ndikim në përzgjedhjen e deputetëve,” shtoi Gjiknuri.
Në kampin demokrat, negociatori Oerd Bylykbashi akuzon mazhorancën për bllokimin e një reforme të plotë zgjedhore, ndërsa e mbron formulën mikse që sipas tij, e hap më shumë garën.
Bylykbashi e mbështet këtë qëndrim me argumentin se për çdo listë partiake do të garojnë me njëri-tjetrin 75% e kandidatëve – edhe pse gara mes shumicës prej tyre do të përcaktojë se kush do të humbasë më shumë.
“Me këtë sistem janë 40 veta që së paku do të zgjidhen me votën drejtpërdrejt të qytetarëve. Do të ketë garë me 140 deputetë, në garën me lista të hapura. Tani thonë që 40 është më e vogël se 6. Po çfarë matematike është kjo?” tha Bylykbashi.
Kush fiton dhe kush humbet?
Pas ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor, kampet politike po bëjnë llogaritë se kush del i fituar nga marrëveshja e fundit mes PS dhe PD. Në kampin opozitar, nuk janë të paktë ata që mendojnë se marrëveshja dëmton opozitën dhe “i jep një mandat të katërt” të paprecedentë kryeministrit Edi Rama.
Ky shqetësim ndahet nga deputetë që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha, mbështetës të Lulzim Bashës si dhe nga partitë aleate që drejtohen nga Dashamir Shehi dhe Fatmir Mediu.
Deputeti i opozitës, Kreshnik Çollaku është i keqardhur që Partia Demokratike nuk e çoi deri në fund betejën për rikthimin e koalicioneve parazgjedhore.
“Kodi Zgjedhor në formën si është dhe me këtë konfliktualitet brenda opozitës, pa koalicionet parazgjedhore rrezikon t’i japë Ramës një prim të padeklaruar, pasi për shkak të ndarjes së opozitës përfiton minimumi nga një mandat në çdo qark,” thotë ai.
Sa i përket përfaqësuesve të ardhshëm, për Çollakun llogaritë janë të thjeshta.
“Parlamenti do të ndahet me 100 të punësuar dhe me 40 deputetë, sepse ata që do kalojnë nga listat e sigurta do të jenë të punësuar në Kuvend,” tha ai.
Edhe deputeti Dashnor Sula shprehu revoltën kundër mbylljes së listave. Sula i tha BIRN se lista me votë parapëlqyese “do të jetë ajo e iluzionistëve, që do të ëndërrojnë se do të fitojnë mandatet, por as do t’ia arrijnë dot”.
“Mund të ndodhë që ata që janë jashtë listës së mbyllur të partisë mund të marrin qoftë dhe 10 mijë apo 20 mijë vota e përsëri nuk mund të bëhen deputetë,” tha ai, duke e konsideruar ndarjen e kandidatëve në dy lista të padrejtë dhe të pabarabartë.
Deputeti demokrat shtoi gjithashtu se listat e mbyllura do të çojnë në Kuvendin e ardhshëm ‘besnikët e Partisë”.
“[Ata]s’do kundërshtonin asnjëherë asgjë për vendimmarrjet e kryetarit, pasi i detyrohen kryetarit qenien deputet dhe që nuk votohen e vlerësohen në asnjë lloj mënyre nëse kanë apo s’kanë mbështetjen e elektoratit,” shtoi ai.
Aleati historik i PD, Fatmir Mediu e quajti me ironi marrëveshjen mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike “një mrekulli”.
“Mbyllja e listave nuk është 25%, por është 80 – 90%,” tha Mediu.
Pavarësisht kundërshtimeve të shumta në kampin opozitar, drafti i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor mori vetëm dy vota kundër.
Betejë në Kushtetuese
Partitë e reja që nuk e kanë provuar ende shijen e Parlamentit i kundërshtojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe paralajmërojnë goditjen e tyre në Gjykatën Kushtetuese. Argumenti i tyre është se ndarja e kandidatëve në dy lista krijon pabarazi vote dhe nuk garanton të drejtën për t’u zgjedhur.
Pano Soko nga Nisma Thurje i tha BIRN se pakti mes dy partive të mëdha krijon mungesë përfaqësimi në Parlament, duke e dëmtuar edhe më tej demokracinë në Shqipëri.
“Jemi duke studiuar të gjitha ndryshimet, për të argumentuar të gjitha çështjet për t’i dërguar në Gjykatë Kushtetuese. Jemi duke duke punuar, kemi disa gjetje paraprake dhe po punojmë bashkë me ekspertët për t’i analizuar të gjitha dhe do t’i dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese,” tha Soko.
“Problemi që kemi me konceptin ka të bëjë me përfaqësimin në demokraci. Shumicën e deputetëve do t’i caktojnë kryetarët e partive, konflikti jonë qëndron në themel të filozofisë të gjithë konceptit të demokracisë,” shtoi ai.
Edhe kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj konfirmoi se do të bashkohej në këtë betejë në Gjykatën Kushtetuese.
“Kemi ngritur një grup pune dhe do ta godasim në Gjykatë Kushtetuese,” tha Lapaj përmes një deklarate publike.
Efekti i kuotave gjinore
Hartuesit e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, duke ndarë listën e deputetëve në ata që zgjidhen nga kryetarët dhe ata që zgjidhen nga qytetarët, garantuan se gara mes kandidatëve tek pjesa e hapur e listës do të ishte pa asnjë pengesë.
“Mjafton një votë më shumë dhe bëhesh deputet”, ishte deklarata njëzëri e Gjiknurit dhe Bylykbashit.
Megjithatë, hartuesit kishin harruar në këtë premtim kuotat gjinore, të cilat e kufizojnë edhe më tej garën në listat e hapura. Sipas amendamentit që u firmos nga 26 deputete gra dhe u mbështet nga kryetarët e grupeve parlamentare, Bledi Çuçi dhe Gazmend Bardhi, një në çdo tre të zgjedhur nga lista parapëlqyese duhet të jetë detyrimisht nga gjinia më pak e përfaqësuar.
Si Gjiknuri, ashtu edhe Bylykbashi konfirmuan për BIRN se me këtë ndryshim do të ngushtohet edhe më shumë gara mes kandidatëve që garojnë jashtë listës së kryetarëve.
Nëse gara do të ishte pa asnjë pengesë, maksimalisht në Kuvend do të zgjidheshin 40 deputetë nga votat preferenciale, ndërsa tashmë me këtë ndryshim vetëm 26 deputetë do të kenë mundësinë që të zgjidhen me votë direkte nga qytetarët.
Votimi i amendamentit për kuotat gjinore u përshëndet nga prezenca e OSBE-së në Tiranë.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri çmon përparimin e jashtëzakonshëm në fushën e barazisë gjinore që ka bërë Shqipëria gjatë viteve të fundit, veçanërisht për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në jetën politike,” tha OSBE përmes një deklarate./BIRN