BIRN: Rëzuan Alibeajn dhe ngritën komision të ri Gjiknuri-Bylykbashi, Reforma Zgjedhore drejt dështimit total!

Pas 3 muajsh funksionimi grupi i negociatorëve nuk kanë arritur të hartojnë një draft të përbashkët ndryshimesh për Kodin Zgjedhor, ku përfshihen çështje për të cilat ka vendime të Gjykatës Kushtetuese, si vota e diasporës dhe përcaktimi i herësit në listat e kandidatëve.

Duket se shkaku i mosmarrëveshjeve gjendet dikur tjetër, tek kërkesa e PD-së për të rikthyer në fuqi një marrëveshje të vjetër të qershorit 2020, e cila u rrëzua me ndryshimet kushtetuese po atë vit që PS i votoi me një grup deputetësh opozitarë të dalë nga listat shumëemërore pas dorëzimit të mandateve të PD-së dhe LSI-së.

Bylykbashi ka vendosur si kusht për konsensus rikthimin në kod të koalicioneve parazgjedhore, kusht që sipas Gjiknurit nuk mund të mbajë peng gjithë reformën zgjedhore dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Një nga çështjet që kemi shtruar nga platforma është rikthimi të marrëveshja e 5 qershorit të vitit 2020, nënshkruar me konsensus nga PS dhe PD dhe mbështetur nga nivelet më të larta të diplomacisë”- tha Bylykbashi për mediat.

Sipas tij, “Rama e di që koalicioni kthen në pushtet opozitën, prandaj po mban peng reformën që të mbajë pushtetin me dhunë”.

PD i ka dërguar propozimin e saj zyrës së OSBE/ODIHR në Tiranë për të marrë një qëndrim të ekspertëve të huaj.

Por, për PS-në kjo është një kërkesë që nuk ka lidhje me reformën aktuale, e cila sipas Gjiknurit, nuk mund të mbetet peng e një marrëveshje të kaluar.

“Vendi nuk mund të rrijë peng i 5 qershorit”- tha ai pas takimit të grupit të dialogut duke akuzuar opozitën se nuk kishte pranuar as propozimet për numërim elektronik në qarqet kryesore dhe zgjidhjet për votën e emigrantëve.

Ai tha se ka ofruan gatishmërinë për të adresuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “E para ka të bëjë me votën e diasporës, e dyta është herësi, shpërndarja brenda forcave politike. Do të dalim me propozimet tona për shpërndarjen e mandateve. Nëse nuk bihet dakord, lista mund të interpretohet nga KQZ si e hapur plotësisht”, komentoi Gjiknuri.

Reforma zgjedhore kërkon një votë të cilësuar me konsensus politik në Kuvend gjë e bën të pamundur çdo vendim të njëanshëm për të ndryshuar dispozitat ligjore.

Një komision i posaçëm për Reformën Zgjedhore u ngrit nga Kuvendi dhe për 2 vite nuk arriti asnjë rezultat për shkak të balancave politike brenda opozitës, pasi grupimi i drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha nuk përfaqësohej nga bashkëkryetari i këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj.

Por, edhe dialogu në një grup pune të ngushtë dhe larg syve të publikut duket se gjithashtu s’po jep rezultat./Reporter.al

Exit mobile version