Skandali i Onkologjikut, doktor Neli Demi: Tregues i qartë i keqmenaxhimit administrativ dhe teknik të institucioneve shëndetësore në vend

Doktor, Neli Demi, njëkohësisht anëtar i Këshillit Kombëtar të demokratëve euroatlantik, në një deklaratë për mediat është shprehur se rasti i onkologjikut por edhe dëshmitë publike nga qindra qytetarë janë tregues të qartë të keqmenaxhimit administrativ dhe teknik të institucioneve shëndetësore në vend.

Ai thotë se ky fakt i shoqëruar dhe me monopolet korruptive dhe konçesionet zhvatëse të parave të shqipëtarëve është pikërisht e kundërta e asaj që iu është premtuar.

Doktor Demi gjithashtu solli në vëmendje raportin e OBSH, i cili thoshte se shqipëtarët paguajnë barrën më të lartë në rajonin Europian të parave nga xhepi për të marrë shërbime shëndetësore (60%).

DEKLARATA E ANËTARIT TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË DEMOKRATËVE EUROATLANTIK, DOKTOR, NELI DEMI

Të dashur qytetarë!

Ajo që ka ndodhur në spitalin onkologjik, por edhe dëshmitë publike nga qindra qytetarë janë tregues të qartë të keqmenaxhimit administrativ dhe teknik të institucioneve shëndetësore në vend. Ky fakt i shoqëruar me monopolet korruptive dhe konçesionet zhvatëse të parave të shqipëtarëve është pikërisht e kundërta e asaj që iu është premtuar. Jo vetëm që shëndetësia nuk është falas, pasi nuk mund të jetë e tillë sepse paguhet nga taksat dhe sigurimet shëndetësore të qytetarëve, por sipas OBSH shqipëtarët paguajnë barrën më të lartë në rajonin Europian të parave nga xhepi për të marrë shërbime shëndetësore (60%). Jo vetëm që shërbimet shëndetësore nuk janë të sigurta, por mangësitë administrative apo teknike kanë vënë në rrezik jetët e qytetarëve nga marrja e gabuar e shërbimeve apo nga mos marrja e tyre. Jo vetëm që infrastruktura shëndetësore nuk është sipas standarteve bashkëkohore, por pajisjet e prokuruara ka 20 vite që nuk përdoren më në spitalet Europiane dhe lihen pa u vënë punë duke rrezikuar jetët e pacientëve, familjarëve dhe stafit.

Publikimi i komunikimeve të personelit shëndetësor nxjerr në pah gjithashtu një fenomen edhe më shqetësues sesa keqmenaxhimi që është mungesa e ndjeshmërisë dhe empatisë ndaj vuajtjes dhe dhimbjes. Është e vërtetë që raporti i individit me ndjeshmërinë dhe empatinë është individual por është gjithashtu i influencueshëm nga mirëqenia, rregullat, ligjet dhe zbatueshmëria e tyre. Qëndrimi i një shteti ndaj grupeve vulnerabël ku bëjnë pjesë fëmijët, të moshuarit, gratë, grupet e margjinalizuara, personat me pa-aftësi të lindur apo të fituar apo personave me sëmundje terminale tregon mbi moralin dhe shtyllat mbi të cilat ai shtet është ndërtuar.

Plagjatura programore e “autonomisë spitalore” e shpallur nga kryepërgjegjësi Rama me aq bujë, në kushtet e një boshllëku ideologjik dhe moral, jo vetëm që nuk mund të lëshojë rrënjë dhe rrezikon të “shkulet” me erën më të lehtë, por gjithashtu rrezikon të shëndrrojë mbretërinë korruptive të centralizuar në feude të copëzuara korrupsioni

Shqipëtarët nuk meritojnë një trajtim të tillë!! Shqipëtarët meritojnë më shumë!! Shqipëtarët meritojnë një sistem shëndetësor tërësisht të reformuar ku institucionet private dhe publike konkurojnë duke rritur numrin e përmirsuar shërbimet, një sistem shëndetsor ku qytetarët paguajnë sigurimet shëndetësore dhe zgjedhin vetë ku t’i marrin shërbimet, një sistem që kujdeset jo vetëm për shëndetin por edhe për dinjitetin dhe privatsinë e qytetarëve, një sistem ku profesionistët shëndetësor trajtohen si burime të vlefshme të shoqërisë dhe jo të “merren peng” nëpërmjet politikave absurde.

Exit mobile version