Bisedimet për Brexit nuk afrojnë pozicionet

Në Downing Street në Londër, Kryeministrja britanike, Theresa May priti të hënën kryetarët e qeverisë të Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut për të diskutuar për hapat e mëtejshme përsa i përket Brexit. Në bisedimet për një bashkëpunim më të mirë morën pjesë kryetarja e qeverisë së Skocisë, Nicola Sturgeon, Kryeministri i Uellsit, Carwyn Jones dhe Kryeministrja e Irlandës së Veriut, Arlene Foster, si dhe zëvendësi i saj, Martin McGuiness.
Më pas, Sturgeon u tregua “thellësisht e zhgënjyer” për takimin përgatitor për daljen e Britanisë së Madhe nga BE. Ajo nuk di më tepër për pozicionimin e qeverisë për negociatat për të dalë jashtë BE se përpara takimit. “Unë nuk e kam problem që të pranoj se pjesë të mëdha të takimit ishin thellësisht zhgënjyese”, i tha Sturgeon stacionit “SkyNews”. Por ajo nuk dëshiron të shohë se si Skocia “do të zhytet në një fatkeqësi të madhe të Brexit-it”.
Sturgeon bëri të ditur se Skocia do të bëjë propozime për një të ashtuquajtur Brexit të zhdërvjellët. Me këtë do të mundësohet qëndrimi i Skocisë në tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian, edhe nëse pjesa që mbetet e Britanisë së Madhe del nga ky treg, tha Kryeministrja. Javën e kaluar, qeveria skoceze i paraqiti Parlamentit në Edinburgh një projektligj për një referendum të ri për pavarësi nga Britania e Madhe. Në vitin 2014 një hap i tillë dështoi në referendum.

Jo përjashtime për Skocinë

Në një deklaratë qeveritare në Londër para takimit qe bërë e ditur se përfaqësuesit e Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut do të përfshihen në bisedimet zyrtare për Brexit-in. Një zëdhënëse e May-t tha para konsultimeve se, Kryeministrja britanike e refuzon “idenë e një rregulli të veçantë për Skocinë”. Në negociatat me BE, të cilat duhet të nisin në mars 2017, Mbretëria e Bashkuar duhet të ketë një “qëndrim të unifikuar”, për t’i mbrojtur interesat e të gjithë vendit.
Zëdhënësja e May-t i paralajmëroi skocezët që të mos e “minojnë” strategjinë britanike. Sturgeon u përgjigj që ajo “nuk mund të minojë diçka, e cila nuk ekziston”. Në negociatat me BE, May kërkon të arrijë një kufizim të imigrimit. Një i ashtuquajtur “Brexit i ashpër” do të thoshte që Britania e Madhe do të shkëputej krejtësisht nga tregu i brendshëm i BE.

Exit mobile version