Fushata pa doreza e presidencialeve amerikane

Në Shtetet e Bashkuara po zhvillohet një fushatë presidenciale pa doreza, që karakterizohet me akuza për veprime djallëzore të një autokrati rus dhe pretendimet se elitat e Uashingtonit bëjnë konspiracion për të mos e lejuar një kandidat kundër establishmentit që të vendoset në Shtëpinë e Bardhë.
Shtrohet pyetja se me çka mund të krahasohet fushata zgjedhore Hillary Clinton kundër Donald Trumpit në vitin 2016?
Le të përkujtohen zgjedhjet e vitit 1828, në të cilat presidenti i atëhershëm, John Quincy Adams, ishte akuzuar për prostituim të pastrueses së tij me Carin Aleksandar I të Rusisë, në këmbim për favore politike, kundër rivalit Adrew Jackson, mbështetësit e të cilit pretenduan se atij i ishte vjedhur presidenca nga “pazaret e korruptuara” katër vite më parë.
Fyerjet, kuptohet, ishin pjesë e zgjedhjeve presidenciale amerikane për më tepër se 200 vjet.
Në zgjedhjet e vitit 1800, një gazetë që e kundërshtonte Thomas Jeffersonin, ka tërhequr vërejtjen se, “vrasja, plaçkitja, dhunimi, tradhtia bashkëshortore dhe inçesti, do të mësohen hapur dhe do të praktikohen” nëse ai zgjidhet.
Por, me llojllojshmërinë e sharjeve, akuzave të keqtrajtimeve seksuale në të kaluarën dhe gjinive të kundërta ndërmjet dy kandidatëve, disa historianë thonë se fushata e tashme ndërmjet ish-sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton dhe biznesmentit të pasur, Donald Trump, ka arritur shkallë të reja të ulëta në paraqitjen e sulmeve të karakterit personal para atyre të çështjeve.
Profesori i historisë politike në Universitetin Amerikan, Allan Lichtman, thotë se fushata aktuale është njëra prej më “të pistave” në historinë moderne.
“Nuk ka dyshim se kjo është gara më e ndyrë që ne e kemi në historinë moderne amerikane. Ju duhet të shkoni prapa në kohërat e mëparshme të historisë tonë për të gjetur garë si kjo”, i tha Radios Evropa e Lirë, Allan Lichtman, i cili në mënyrë korrekte e ka parashikuar fituesin e votës popullore në secilat zgjedhje presidenciale në Shtetet e Bashkuara, prej vitit 1984.
Sipas historianëve të zgjedhjeve presidenciale, perceptimi për fushatën si garë kah një hendek i thellë, është krijuar në masë të madhe nga zoti Trump dhe ngritja e tij e shpejtë dhe e ashpër politike.
Pos fjalëve tejet të ashpra dhe duke iu shmangur dekorit politik, ai ka bërë fyerje personale, i është vërsulur Hillary Clintonit, pastaj gazetarëve dhe një numri të kritikëve.
Zoti Trump, po ashtu, është kërcënuar për ta burgosur rivalen e tij demokrate nëse ai zgjidhet president dhe ka refuzuar të thotë se do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve si legjitime nëse pëson disfatë.
Historiani amerikan, Robert Dallek, njëherësh autor i librit të suksesshëm për biografinë e ish-presidentit, John F. Kennedy, i tha Radios Evropa e Lirë se ka gjëra të paprecedentë në këtë fushatë.
“Ekziston një kualitet i caktuar i gjërave të paprecedentë në këtë fushatë. Kurrë nuk kam parë që dikush ka qenë më vulgar, më i bezdisshëm dhe më i vrazhdë se zoti Trump. E dini, Richard Nixon ishte mjaft i keq, por ato ishin në shirita që ishin fshehur dhe nuk ishin pjesë e deklaratave publike”, tha Robert Dallek.
Ky stil, duket se e ka djegur reputacionin e Trumpit si një person jashtë qarqeve politike, i cili është i aftë për ta ndryshuar rrënjësisht Uashingtonin.
Zonja Clinton nuk është e papërvojë në rrjedhat e rrëmbyeshme politike dhe operativistët që punojnë për fushatën e saj, aktualisht janë zënë duke diskutuar se si ta nxisin dhunën dhe kaosin në tubimet e Trumpit, duke shfrytëzuar provokatorë të fshehtë.
Derisa ajo ka synuar ta portretizojë vetveten se qëndron mbi polemikat e ashpra, fushata e saj vazhdimisht është përpjekur ta paraqesë zotin Trump si të paaftë për zyrën më të fuqishme në gjithë botën.
Në këtë aspekt, më e theksuara ishte një video e vitit 2005 në të cilën Trump dëgjohet duke bërë komente vulgare për femrat.
Derisa çështjet e rëndësishme, siç janë imigrimi, politika e taksave dhe siguria kombëtare, nuk kanë munguar tërësisht në fushatë, beteja për Shtëpinë e Bardhë, Clinton–Trump, për segmente madhore e ka karakterin e kandidatëve.
David Kennedy, profesor i historisë amerikane në Universitetin Standford, vlerëson se po zhvillohet një betejë tejet e ashpër.
“Është njëra nga më të hidhurat dhe do të thoja, në kuptimin e shqyrtimit të çështjeve me të cilat ballafaqohet ky vend, është njëra nga zgjedhjet më dëshpëruese në jetën time dhe ndoshta në gjithë historinë dyshekullore të kësaj Republike”.
“Kandidatët kanë shpenzuar më tepër kohë duke folur për personalitetin e njëri-tjetrit se sa për çështjet reale. Por, edhe këtu nuk ka simetri perfekte. Mendoj se kandidati Trump ka shkuar shumë më larg në nivelin më të ulët të komunikimit se sa kandidatja Clinton. Por, ata të dy janë fajtorë për këtë deri në një shkallë”, tha David Kennedy.

Exit mobile version