Bizneset: Doganat mashtruan në lidhje me oraret e zhdoganimit për eksportuesit

Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, në bashkëpunim më Dhomën Italiane të Tregtisë i është rikthyer çështjes së vendosjen e orareve nga DPD për kryerjen e procedurave për subjektet që kryejnë eksport-import, duke kërkuar anullimin e urdhrit. Nëpërmjet një letre drejtuar kryeministrit dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, DHKPVK kanë bërë me dije se, edhe pas reagimit të Doganës lidhur me tërheqjen e vendosjes së orareve dhe ofrimin e fleksibilitetit, kjo gjë nuk ka ndodhur. “Edhe pse urdhri i Doganave kishte për qëllim t’u jepte përparësi kryerjes së procedurave për subjektet që kryejnë eksport apo rieksport dhe premtonte angazhimin maksimal për të qenë në ndihmë të biznesit, ai ka penguar në mënyrë thelbësore veprimtarinë e sipërmarrjes sipas pikave më poshtë”
– veprimtaria ekonomike e bizneseve tona është e lidhur me klientë të ndryshëm të cilët kërkojnë prodhimin në sasi dhe kohën e caktuar.
-Urdhri po bllokon veprimtarinë me firmat e huaja, të cilat kanë reflektuar menjëherë qendrimin për bllokimin e kontratave dhe anullimin e porosive
-Urdhri ka sjellë edhe penalizim në pagesa nga ana e kontraktorëve tanë për dëmin nga vonesa
-Kufizimi i orarit ka shkaktuar rritje të shpenzimeve të transportit, rritje të kostove për parkim doganor
-Në rastin e anijeve kontenierike, pamundësia për të përfunduar procedurën doganore Brenda ditës, sjell mosngarkim të kontenierit në mjetin lundrues që nisët të nesërmen në mëngjes. Për rrjedhoje, kontenieri i eksportit duhet të pres në Durrës edhe 7 ditë të tjera. Kjo sjell kosto në magazinim, mosrespektim kontratash, problem me lektër kreditet etj.
-Orari i reduktuar i përfundimit të zhdoganimit sjell rritjen e presionit për të përfunduar sa më shpejt. Për rrjedhojë, shtohen shanset dhe rastet e gabimeve njerëzore nga punonjësit që pregatisin dokumentacionin.”- thuhet në shkresën e dërguar.
DHKPVK dhe Dhoma Italiane kanë shprehur gatishmërinë për të kryer një takim sqarues për këtë çështje, me qëllim sqarimin e dëmeve që pësojnë bizneset e përfshira, si dhe ka kërkuar anullimin e këtij urdhri. Më herët, Dogana Shqiptare, në një përgjigje për ankesën e Biznes Albania, Dhomës Amerikane të Tregtisë, Dhomës Britanike, Dhomës së Fasonistëve, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë i bën me dije se urdhri i hyrë në fuqi prej datës 16.12.2015 është një tërheqje vëmendje për të gjitha degët doganore për dhënien prioritet të veçantë procedurave të eksportit dhe rieksportit. “Ky urdhër nuk ka për qëllim aspak kufizimin e orarit të veprimit për subjektet apo operatorët ekonomikë, por përkundrazi të ndihmojë në planifikimin në kohë të aktivitetit të tyre, për të shmangur radhët e gjata pranë Degës Doganore Durrës, si degë doganore përmbyllëse në procedurat e eksportimit dhe rieksportimit”, thuhet në përgjigjen e dërguar shoqatave të biznesit.

Urdhri i datës 16 dhjetor

Në një shkresë të mëparshme, Doganat sqaronin se Urdhri i datës 16 dhjetor 2015, për përcaktimin e orareve në kryerjen e procedurave për eksport dhe rieksport, me zyrë doganore dalëse Durrësin ka qëllim orientues dhe jo kufizues për operatorët ekonomikë. Me anë të tij, synohet disiplinimi i lëvizjes së mjeteve me mallra për eksport apo rieksport me zyrë doganore dalëse Durrësin, si dhe i ndihmon operatorët ekonomikë që të planifikojnë në kohë përshtatjen me oraret e nisjes së trageteve. Kjo për shkak se, aktualisht, procedurat e skanimit në Portin Detar të Durrësit nuk mund të realizohen në kohën e pikut të lëvizjes për eksport (dalje nga territori doganor). Në kushtet kur në kuadër të forcimit të masave për rritjen e shkallës dhe efikasitetit të kontrolleve kundër terrorizmit dhe trafiqeve të paligjshme do të skanohet një numër më i lartë mjetesh me mallra që kryejnë procedurat për eksport dhe rieksport në Degën Doganore Durrës, fluksi i lartë i këtyre mjeteve bëhet shkak që subjektet të humbasin tragetin, sqarojnë me tej burimet zyrtare në dogana. Referuar këtij Urdhri, Drejtoria e Përgjithshme ka udhëzuar Degët Doganore të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe të njoftojnë paraprakisht operatorët ekonomikë dhe agjencitë doganore, në mënyrë që atyre t’u jepet mundësia për të përshtatur aktivitetin e eksportit me oraret e përcaktuara, në rastet kur subjekti kërkon të nisë mallin për eksport brenda ditës. Në të kundërt, ata mund të kryejnë procedurat edhe pas orarit të përcaktuar në urdhër, por duhet të llogarisin që nisjen për eksport ta bëjnë ditën e nesërme. Drejtoria e Përgjithshme e Doganës siguroi se urdhri në fjalë ka për qëllim t’u japë përparësi kryerjes së procedurave për subjektet që kryejnë eksport apo rieksport dhe ka angazhimin maksimal për të qenë në ndihmë të biznesit.

Exit mobile version