Nikollaq NERENXI
Tatimet po i kërkojnë llogari biznesit pse u ka rënë xhiroja!!! Dhe kanë të drejtë. Po ç’patët ju? Taksat u ulën, tatimet u ulën, pagat dhe pensionet u rritën, uji u ul, energjia elektrike dhe karburanti u ulën, mbi 200 mijë shqiptarë lanë Shqipërinë dhe ngaqë këtu të mirat u rritën e të këqijat u ulën, duket se nuk duan të kthehen më dhe kur shqiptari pazarin e bën në Gjermani, nuk ka se si të rritet xhiroja në Shqipëri. Pastaj, duhet thënë, edhe ne jemi pak dembelë dhe ia kemi varur punës. Unë personalisht e pranoj që nuk po punoj sa duhet, sepse kohën që më duhej ta harxhoja duke gjetur mënyra të reja për zgjerimin e aktivitetit, rritjen e të punësuarve dhe të shitjeve, më duhet ta kaloj në dyert e Gjykatave për të hedhur poshtë ligjet dhe vendimet anti demokratike, anti sipërmarrje e lirë dhe anti kushtetuese, të cilat na i kanë bërë peshqesh me dashuri pushtetarët tanë që i zgjodhëm vetë për të bërë pikërisht të kundërtën e këtyre që po bëjnë. Megjithatë, unë nuk rri dot pa e dhënë një përgjigje për këtë pyetje kaq të “shtrenjtë”, duke i këshilluar si fillim tatimorët që teatrot t’ju a lënë t’i bëjnë atyre që kanë mbaruar një shkollë arti. Duke pranuar që për të gjitha arsyet që dihet, konsumi ka rënë, sepse niveli ekonomik i popullsisë ka rënë, përsëri ka një rrugë për ta luftuar informalitetin dhe rritur xhiron, por pa hipokrizi. Nuk ka nevojë të terrorizoni tregtarët nëpër dyqane me kontrolle kot sa për show. Shkoni në dogana dhe mbyllini dyert e kontrabandës. Ju a thanë edhe anglezët e Crown Agents se çfarë katraure bëhet aty. Ai mall del në treg pa asnjë faturë dhe normalisht ju nuk mund të vilni tatimet e mallit të hajdutëve. Kështu edhe ne që deklarojmë çdo qindarkë në shtet, shpëtojmë nga kjo konkurrencë e pandershme që po na e merr frymën. Gjithashtu hiqini fashot biznesit të vogël dhe lëreni të punojë sa të dojë kundrejt taksave dhe tatimeve normale. Mos i detyroni njerëzit të jenë të pasinqertë me shtetin. Nëse nuk i bëni këto, atëherë e them me plot gojë se kjo situatë skandaloze, jo vetëm që nuk iu shqetëson, por përkundrazi iu leverdis shumë.
(P. S. Një milion dollarët e përgjigjes nuk i dua) Nikollaq Neranxi